Seanca e jashtëzakonshme u ndërpre, s’pat kuorum për votimin e rezolutës së opozitës për “skandalet në KEK”, ndërpritet seanca e jashtëzakonshme

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit që nisi në drekë dhe në të cilën u diskutua “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës” u ndërpre në mungesë kuorumi të nevojshëm për votimin e një rezolute të paraqitur nga opozita.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi propozoi një rezolutë që përfshinte kërkesën që “organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik”.

Në mungesë të kuorumit, rezoluta nuk u hodh në votim.

“Nuk ka deputetë tjerë që do të flasin. Me siguri z.Gashi, nuk qenka këtu por ai besoj që rezolutën mund ta… e ka paraqitur në fillim, kështu që, në votim nuk po e qesim fare meqenëse po e shoh që nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve, kështu që vazhdojmë një ditë tjetër, kurdo që të mbajmë seancë”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca. “E pasaka paraqitë pra. Atëherë kur të krijohen mundësitë për votim në Kuvend, të kemi kuorum, atëherë e qesim në votim”.

Në këtë seancë, u mundua të sqarohen zhvillimet brenda KEK-ut dhe të flitet për përgjegjësinë e menaxhimit me këtë korporatë, siç tha Gashi.

U kërkua që Kuvendi të zhvillojë debat të hapur për “masat që duhet të merren për të përmirësuar menaxhimin në KEK, për të rritur transparencën dhe për t’i ndaluar ndërhyrjet e paligjshme”.

Në këtë seancë, u përmendën “skandalet me tenderët njëburimorë”, “mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK”, shitblerja e energjisë elektrike, e çështje të tjera.

Seanca e sotme, ashtu si edhe të tjerat që së fundmi u thirrën nga opozita, u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.