Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjnufca, ka pritur sot në takim pjesëmarrësit e edicionit të 10-të në Shkollën Diplomatike, që organizohet nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se gjatë këtij takimi kryetari Konjufca bisedoi me të rinjtë mbi rolin dhe rëndësinë e diplomacisë në vendin tonë, që prej përpjekjeve për liri dhe pavarësi, e deri më sot, kur institucionet e Kosovës veprojnë për të përsosur sa më shumë e për të koordinuar sa më mirë përpjekjet që çojnë përpara interesat dhe synimet e Kosovës.
“Diskutuan për tema të ndryshme e të rëndësishme që kanë të bëjnë me angazhimin e Kosovës, duke përfshirë edhe çështje të marrëdhënieve me jashtë, siç edhe parimet dhe orientimet që ndjek vendi ynë përballë nevojës së zhvillimit dhe avancimit të mëtejshëm të secilës çështje”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, kryetari Konjufca i përgëzoi këta të rinj që po marrin pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës Diplomatike, duke iu uruar atyre suksese dhe arritje sa më të mëdha.