Brenda dy ditësh pritet që anëtarësia e Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të japë mendim për pezullimin e mundshëm të grevës në arsim.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Hanife Salihu, anëtare e Këshillit grevistë në SBASHK.
“Ne iu kemi drejtuar edhe kryetarëve të sindikatave komunale që të marrin mendimin e anëtarësisë se si të vazhdohet më grevën, të pezullohet për një kohë të caktuar apo të marrim hapa të tjerë, po presim që brenda këtyre dy ditëve të japin një përgjigjeje”, thotë ajo.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thënë, më 28 shtator, se i është drejtuar anëtarësisë greviste me një shkresë, përmes të cilës u ka kërkuar të japin mendimin e tyre për idenë që të pezullohet greva në arsim deri në janar të vitit 2022, dhe procesi mësimor të nisë nga 3 tetori, pra të hënën.