Zhbllokimi i mallrave serbe, tenderi për furnizim me skaner mobil në fazë të vlerësimit

Më 7 tetor, Ministria e Punëve të Brendshme mori vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes Merdarit- nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Kështu tha ministri Sveçla.

Ndërkaq në një konferencë për media kryeministri Kurti tha se derisa të vijnë skanerët vetëm Merdari do të jetë i hapur, ndërsa në momentin që vijnë ata do të hapen të gjitha pikat kufitare.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se tenderi për furnizimin me skanerin mobil X-Ray është i hapur.

Stavileci shtoi se më 16 tetor ky tender ka kaluar në fazën e vlerësimit

“Ju njoftojmë se tenderi për furnizimin me skaner mobil X-ray është i hapur. Zyrtarisht më datën 16.10.2024 ka kaluar në fazën e vlerësimit, ku të gjitha ofertat e pranuara do të shqyrtohen në mënyrë të kujdesshme dhe të detajuar, duke respektuar të gjitha kërkesat dhe specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.”

Ai tha se procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e prokurimit publik dhe se do të përzgjidhet oferta më e përshtatshme që i përmbush kërkesat e tyre.

Procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e prokurimit publik, duke siguruar transparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen e ofertës më të përshtatshme që përmbush kërkesat tona. Pas përfundimit të vlerësimit, do të publikohet rezultati dhe do të njoftohen të gjitha palët e interesuara”, kanë thënë nga Dogana.

Perëndimi premton ndihmë

Dy ditë pas ndryshimit të masës së sigurisë, kryeministri Kurti në një konferencë për media tha se duan t’i blejnë skanerët por edhe se i janë premtuar nga evropianët dhe amerikanët.

“Natyrisht që ne nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare ndërkohë që nuk i kemi marrë ende skanerët, të cilët edhe duam t’i blejmë edhe na kanë premtuar edhe evropianët edhe amerikanët. E ndërkohë cfarë kemi bërë ne është që e kemi hapur një pikë të kufirit me ç’rast është në Merdar sepse terminali doganor është vetëm 300 metra larg prej vendkalimit kufitar ku lejohen mallrat por me kontroll të shtuar”, tha Kurti.

Ndërsa, zëdhënësi i ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, në një përgjigje për Gazetën Express tha se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë sa u përket skanerëve.