Që nga 25 gushti të gjitha sindikatat në Kosovë kanë hyrë në grevë.
E, që nga kjo datë Qeveria dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për ta ndërprerë këtë të fundit.
Kjo, për shkak që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po i kërkon Qeverisë që punëtorët të marrin nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga, derisa Qeveria nuk po e pranon fare këtë kërkesë, shkruan Front Online.
Por, siç duket tashmë kjo situatë po merr një epilog tjetër.
Këshilli Grevist ka vendosur që të pyes anëtarësinë për pezullim të grevës deri në janar.
Lidhur me këtë për Front Online ka folur Nexhat Llumnica, anëtar i Këshillit Grevist.
“Patjetër se ne kemi marrë vendim si Këshill Grevist edhe pse anëtarësia e SBAShK-ut mund të pajtohet, por Këshilli Grevist është ai i cili e pezullon grevën për aq kohë sa Qeveria e Kosovës thotë se do t’i senet mirë, e nëse i bën senet mirë, ne nuk kemi nevojë për një grevë tjetër, mirëpo greva e ka kuptimin kur pezullohet, shtyhet për një afat e nëse nuk realizohen kërkesat ajo mund të aktivizohet pa vendime tjera”, ka thënë ai për Front Online.
I, pyetur se a do të pezullohet greva në të gjitha sindikatat, Llumnica ka thënë se krejt kjo varet nëse pajtohet anëtarësia.
“Është mendim i Këshillit Grevist, në rast se anëtarësia pajtohet”, ka thënë shkurt ai.
Aktualisht Këshilli Grevist i SBASHK-ut është duke diskutuar ku edhe po kërkon nga anëtarët e saj pezullimin e grevës deri në janar, duke theksuar si datë të mundshme 3 tetorin për fillimin e procesit mësimor.
Në letrën e tyre dërguar edhe mediave thuhet se mësimdhënësit janë nëpërkëmbur në vitet e 90-ta dhe njësoj kanë përjetuar nëpërkëmbje që nga muaji i kaluar./