Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Qeveria e Kosovës e ka rrezikuar shtetësinë me Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Hasani tha se përmes këtyre marrëveshjeve Serbia e ka fituar të drejtën ta kontestojë shtetësinë e Kosovës.
“E ka fut në proces ridefinimin e qenies shtet që është shpall në ditën e 17 shkurtit 2008. Dhe do të shihet, janë detyrime që ka me i zbatu qeveria tjetër”, tha ai.
“Serbia ka fitu të drejtën me pëlqimin tonë me ta kontestu shtetësinë dhe ato [marrëveshjet] nuk zhbëhen lehtë”, tha Hasani.
Ai tha se ato marrëveshje janë veprimi më i dëmshëm për Kosovën që nga Kuvendi i Prizrenit e deri më tani.
Hasani tha se këto marrëveshje janë të dëmshme “për shkak se ato e kanë përmbysur projektin kushtetues të vitit 2008 në atë që ne i themi forcat rregullatore të Kushtetutës, material që është krijuar për komunitetin serb duke i përjashtu të gjitha minoritetet tjera. I ka përmbysur qëndrimet fundamentale politike që janë proklamuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe e ka përmbysur unitetin politik”, tha Hasani.
Sipas tij këto marrëveshje e rihapin çështjen e statusit të Kosovës. “Siç është shpall më 17 shkurt 2008 dhe i rikonfigurojnë komplet elementet bazike të shtetësisë së Kosovës”, tha Hasani, për RTV21.
Hasani foli edhe rreth përgjimeve të publikuara të Mimoza Kusari Lilës me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Ai tha se këto janë më shumë çështje politike për vota.
“Çështja e ndërhyrjes së prokurorisë në proceset politike. Unë mendoj që prokuroria nuk e ka bërë kështu. Mendoj që prokuroria nuk ish dashtë me marrë me këto çështje për procese politike që ndodhin”, tha Hasani.
Hasani ka folur edhe për çështjen e ushqimit të ushtarëve të FSK-së dhe rolin e Presidentes, Vjosa Osmani në këtë çështje.
“Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për mosfunksionim ose mosmarrëveshje institucionale për të cilat ajo [presidentja] ka përgjegjësi, por në rastet e tjera ajo ka dështuar”, tha Hasani.
Si argument për këtë ai e përmendi faktin se Kosova për gati tri vjet është me ushtrues detyre të kryeprokurorit.
“Është e papranueshme, në çdo funksion qendror për të cilin ajo ka me vendos nuk mund të arsyetohet për çfarëdo arsye, qoftë për vonesën e formimit të institucioneve. Është përgjegjësi kushtetuese e saj dhe në një moment të caktuar mund të ketë pasoja”, tha Hasani.