Deklarohen të pafajshëm tre zyrtarët e Skënderajt të akuzuar për korrupsion

Mitrovicë – Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Valon Haliti, Zenë Rushiti dhe Driton Mulaj janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Sahit Tmava, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, të akuzuarve nga gjykatësi i rastit Ali Kutllovci iu lexuan të drejtat e tyre, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.

Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësi Kutllovci i njoftoi se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Valon Halitit, Zenë Rushitit dhe Driton Mulajt.

Aty thuhet se dy të pandehurit e parë më 13 qershor 2023 dhe i pandehuri Mulaj më 15 gusht 2023, në Skenderaj, në cilësinë e zyrtarëve me dashje dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit nr.04/L-110, Ligjit nr.04/L-175, nuk ia kanë ndërprerë punimet në gërmimin – eksploatimin e dheut operatorit ekonomik konsorciumin “Andrra&Asons” SH.P.K., i cili nuk kishte pasur leje ndërtimi, ndërsa i pandehuri Mulaj operatorit të lartcekur ia ka lëshuar lejën ndërtimore në kundërshtim me kushtet ndërtimore të përcaktuara nga Drejtoria e Urbanizmit.

Në pikën e parë të aktakuzë thuhe se, i pandehuri Valon Haliti në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., nuk ia ka ndërprerë punimet ndërtimore këtij operatori, dhe në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm material komunës së Skenderajt, të dëmtuarit D.Xh në shumë prej 76 mijë e 791 euro 32 centë, ndërsa të dëmtuarit F.S  në shumë prej 60 mijë euro.

Me këto veprime, Valon Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Zenë Rushiti në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Skenderajt ka shfrytezuar detyrën e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., nuk ia ka ndërprerë punimet ndërtimore këtij operatori edhe pse ka qenë në dijeni se i njëjti nuk ka leje ndërtimore, dhe nuk i ka shqiptuar gjobë përkundër faktit që i ka përpiluar procesverbalet, dhe në këtë mënyrë është shkaktuar dëm material komunës së Skenderajt, të dëmtuarit D.Xh në shumë prej 76 mijë e 791 euro e 32 centë, ndërsa të dëmtuarit F.S  në shumë prej 60 mijë euro.

Me këto veprime, Zenë Rushiti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Driton Mulaj në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Skenderaj, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., ashtu që këtij operatori ekonomik, ia ka lëshuar lejen ndërtimore për ndërtimin e dy etazheve – kateve në bodrumin-2B, duke vepruar në kundërshtim me nenin 21 të Ligjit nr.04/L për Ndërtim dhe në kundërshtim me kushtet për ndërtim të përcaktuara nga Drejtoria e Urbanizmit.

Me këto veprime, Driton Mulaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.