Mbi “Destruksionin kreativ” të politikës kosovare

Shoqërisë sonë i mungojnë disa të vërteta, por ndoshta e vërteta kapitale sot lidhet me marrëveshjen me serbët. Pse nuk na thonë me zë të lartë se marrëveshja me serbët është kusht themelor dhe i pakapërcyeshëm për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar? Pse nuk thonë hapur dhe me zë të lartë se demokracia kërkon kompromis?

Fadil Sahiti

Tregu politik i Kosovës, sikurse edhe tregu ekonomik (i stërmbushur me firma të imëta që as nuk rriten e as nuk vdesin), vazhdon të vuajë nga mungesa e një mekanizmi që ekonomisti austriak Schumpeter e quajti ‘shkatërrim apo destruksion kreativ’. Prej 20 vitesh tregu ynë politik vazhdon të jetë i stërmbushur me politikanë kryesisht mercenarë e mediokër, që vetëm riciklohen; as nuk ndryshojnë dhe as nuk largohen nga skena politike. Ky treg po dështon të gjenerojë politikanë dhe grupe politike që me idetë dhe programet e tyre politike dhe ekonomike do të vendosnin standarde, dhe përmes tyre eventualisht t‘i detyronjnë të ricikluarit ose të ndryshojnë ose të vdesin. Duket qartë se shoqëria jonë do të vazhdojë të mbetet peng i këtyre politikanëve të papërgjegjshëm.

Në të gjitha fushat jeta jonë është e mjerueshme, në ekonomi, arsim, shëndetësi, sport, etj. Dhe, çuditërisht, demografia e këtyre politikanëve vazhdon të jetë e njëjtë.

PDK edhe AAK vazhdojnë të popullohen nga ish-luftëtarë të kthyer në politikanë, si dhe një grup tjetër i përbërë kryesisht nga mercenarë të politikës. E kanë kontrolluar jetën politike dhe veçanërisht ekonomike që nga paslufta. Pothuajse të gjithë këta që na prezentohen edhe sot e kanë pasur mundësinë të ndërtojnë një shtet funksional, demokratik dhe me tipare perëndimore. Përvoja sugjeron se as nuk kanë pasur qëllim, e as dije apo kulturë politike për ta bërë këtë. Për shkak të mungesës së ‘mekanizmit shkatërrues’, mungesës së luftës midis të resë dhe të vjetrës, ky grup politik vazhdon të riciklojë politikanë mediokër.

LDK tradicionalisht e ka quajtur veten parti e intelektualëve dhe akademikëve. Dikur ndoshta kanë qenë, por kjo e sotmja nuk ka asgjë të përbashkët me LDK-në e Rugovës dhe Aganit. Sot kjo parti është e populluar kryesisht nga ata që nuk kanë arritur kurrë të bëjnë një karrierë të mirëfilltë akademike dhe intelektuale. Demografia politike e kësaj partie përbëhet kryesisht nga kategoria e njerëzve ‘as – as’, dmth, as akademikë, as politikanë, as ushtarakë e as politikanë.

Mozaikun e trinomit të politikanëve mediokër kosovarë e plotësojnë “ngrehalucët” e VV-së. Të fiksuar pas vetes dhe ideologjisë shelbuese, të magjepsur nga pushteti politik, janë kthyer në kundërshtarë të politikës amerikane dhe evropiane. E kanë pushtetin, por, literalisht, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse përhapin mjegullë; përpiqen të na bindin se e gjithë bota është kthyer padrejtësisht kundër tyre dhe kundër nesh. Është qesharake, por edhe tragjike kur i sheh duke u përpjekur të ‘iluminojnë’ amerikanët dhe evropianët; jo u mbajnë ‘ders’ se si duhet të funksionojë demokracia, ose nga çfarë vuan siguria globale.

E gjithë strategjia politike e këtyre politikanëve konsiston në përpjekjen për të përfituar nga gabimet e palës tjetër. Nuk kanë guxim politik t’i thonë të vërtetën popullit. Në fakt shoqërisë sonë i mungojnë disa të vërteta, por ndoshta e vërteta kapitale sot lidhet me marrëveshjen me serbët. Pse nuk na thonë me zë të lartë se marrëveshja me serbët është kusht themelor dhe i pakapërcyeshëm për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar? Pse nuk u thonë njerëzve të zakonshëm atë që u thonë miqtë tanë sa herë që takohen, se nëse serbët nuk ndihen të lirë në shtetin e Kosovës, nuk do të bëhemi kurrë një shoqëri normale? Pse nuk thonë hapur dhe me zë të lartë se demokracia kërkon kompromis? Por, e thonë atë që s’duhet thënë. Njësoj si ngrehalucët e djeshëm, opozitarët e sotëm thonë se kur të vijmë në pushtet, do ta ndryshojmë këtë apo atë marrëveshje ndërkombëtare.