Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk, Ozkan Ulutas, ka njoftuar për vizitën e tij që ka pasur në Brukel, e ku është takuar me ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Ulutas përmes një komunikate të lëshuar nga KFOR, ka thënë se derisa po i afrohet fundit të mandatit të tij si Komandant i KFOR-it, dëshiron të reflektojë për një vit të ngarkuar, si për të personalisht ashtu edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.
Ushtaraku turk, ka thënë se në muajt e fundit ka parë vendosmërinë e popullit të Kosovës përtej historisë komplekse dhe ka thënë se pavarësisht dallimeve, të gjitha komunitetet në Kosovës ndajnë shpresën e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të begatë.
Ulutas ka thënë se për fat të keq, shumë sfida vazhdojnë të mesin, tensionet janë ende të pranishme dhe se mosbesimi ndërmjet komuniteteve e pengon përparimin.
“Për fat të keq, shumë sfida mbeten. Tensionet ende janë të pranishme, dhe mosbesimi ndërmjet komuniteteve pengon përparimin”, ka thënë Ulutas në fjalën e tij.
Tutje ai ka folur edhe për dialogun e Brukselit, që Ulutas thotë se po përballet me pengesa, raporton Express.
“Në këtë drejtim, NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kuadrin për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve të pazgjidhura.Unë mbetem optimist se – me durim, këmbëngulje dhe një qëndrim konstruktiv nga të gjitha palët – këto pengesa mund të kapërcehen”, ka thënë Ulutas.
“Gjatë komandimit tim, KFOR-i ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në të gjithë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë nga OKB-ja.
Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibël dhe të përshtatshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të rinovuar dhe kemi reaguar me shpejtësi ndaj situatave që mund të çonin në incidente apo përshkallëzime të tjera”, ka shtuar tutje komandanti i KFOR-it.
Ulutas ka thënë se gjatë mandatit të tij, një nga aspektet më të rëndësishme ka qenë mbiqkyrja e koordinimit të KFOR-it me BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe.
Ulutas thotë se ky bashkëpunim “mbetet thelbësor për përfitimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”.
“Një nga momentet më të rëndësishme gjatë mandatit tim ka qenë mbikëqyrja e koordinimit të KFOR-it me një gamë të gjerë palësh: BE-në, OSBE-në, OKB-në, Institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe.Ky bashkëpunim mbetet thelbësor, për përfitimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë Ulutas në Bruksel, shkruan Gazeta Express.
Ulutas ka thënë në fund se është krenar për angazhimin e Turqisë për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen e ofruar për misionin e NATO-s në Kosovë.
“Kjo përvojë ka thelluar kuptimin tim se sa kritike janë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe besimi për të ruajtur paqen në mjedise komplekse”, është shprehur ai.
Ulutas ka bërë thirrje tek të gjitha komunitetet që të vazhdojnë të përpiqen për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Komandanti i KFOR-it ka nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe ka thënë se përparimi në këtë proces është i mundur, por që kërkohet guxim dhe përkushtim i sinqertë nga të dy palët.
“Avancimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor, dhe unë besoj me vendosmëri se është i mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të sinqertë nga të dyja palët.Ky dialog nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por gjithashtu një imperativ moral për të mirën e gjeneratave të ardhshme”, ka shtuar tutje.
“Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë popullin e Kosovës dhe komunitetin e KFOR-it, për mbështetjen e tyre gjatë mandatit tim si Komandant i misionit”,
E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja, dhe unë besoj se kjo e ardhme mund të jetë një e ardhme e ndritur”, ka përfunduar Ulutas në fjalën e tij.