Kosova luan nesër ndaj Qipros me fillim nga ora 20:45 në kuadër të xhiros së fundit të grupeve të Ligës së Kombeve.
Kosova tashmë nuk ka asnjë shans për ta fituar grupin, por luan për triumf që të mbetet në Ligën C të Ligës së Kombeve, përcjell GazetaBlic Sport.
Dardanët kanë bërë thirrje që nesër askush nuk duhet të mungojë, pasi Kosovës i duhet përkrahje.
Ja njoftimi:
“Thirrje për të mos e lënë Kosovën të rrëshqasë në humnerë!Thirrje për bashkim!
Kosova nesër zhvillon ndeshjen e saj të fundit në Ligën e Kombeve kundër Qipros. Kjo do të jetë sfida e sfidave, sepse ashtu u krijuan rrethanat, pa dëshirën tonë si tifozë. Ky është realiteti i ri me të cilin po përballemi dhe duhet ta pranojmë.
Koha për t’i përvjelë mangët të gjithë dhe ta jetësojmë një organizim impozant, për të mos e lënë Kosovën në lloç, duke shënuar hapa mbrapa – që as nuk jemi të interesuar t’i shohim e as nuk na përkasin.
Ndeshja e nesërme është më shumë sesa jetë a vdekje. Kundër Qipros luhet për dinjitetin dhe peshën e Kombëtares së Kosovës. Këto dy të fundit do të nëpërkëmbeshin në rast të ndonjë rezultati jo të favorshëm për ne.
Vlerësimet t’i lëmë pas kësaj ndeshje. Secili duhet të shikojmë se çka dhamë. Tifozët nesër kanë po aq rëndësi sa lojtarët. Nëse ne si tifozë nuk do të organizohemi dhe nuk do ta japim maksimumin – nuk jemi të denjë për vendin që brezat e tëra me sakrifica vetëmohuese na e lanë si trashëgimi.
E njëjta vlen për lojtarët, sigurisht. Ata duhet ta dinë, sikur të gjithë ne tjerët – që kemi përgjegjësi morale përballë gjeneratave të tëra, që para nesh, në kushte robërimi dhe të orës policore – mbajtën të gjallë shpresën për ta përfaqësuar Kosovën.
Kjo Kombëtare nuk ka lindur as kundër Haitit, as pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Prandaj, edhe në nderim të atyre që mundësuan që topi të rrokulliset nga një cep i fushës, në tjetrin, duke mos iu nënshtruar diktatit shovinist – nuk duhet lejuar që Kosova të lihet në humnerë. Liga D, më saktësisht zbritja aty, nënkupton kthim në katrahurë.
Kur ta shohim veten në pasqyrë me fanellën e Kosovës, përfshirë edhe vetë lojtarët – duhet të na dalë përpara ajo histori. Duhet të na bëjnë të përulur ato vuajtje.
Kosova është atdheu ynë. Kombëtarja e Kosovës është përfaqësimi ynë.
Nuk kemi alternativa rezervë. Kemi detyrë morale t’i qëndrojmë afër dhe ta mbështesim. Ashtu sikur nesër, të gjithë të bashkuar, duke nisur nga ne si tifogrup Dardanët.
Kush nuk i përgjigjet kësaj thirrje nga tifogrupi, do të japë përgjegjësi dhe nuk do t’i mundësohet hyrja për ndeshjet tjera.
Asnjë arsye për mungesë. Asnjë arsye për llomitje.
Do t’ia dalim, Kosovë.
Besa, besë”, shkruan kryetari i Dardanëve, Luli Berisha.
/GazetaBlic Sport