Djali i heroit Sali Çekaj, Hyseni, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lajmin për aderimin e tij e ka bërë publik kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“I biri i heroit Sali Çekaj, Hyseni, na u bashkua në rrugëtimin tonë të djathtë. Atë, Valentinën e djalin e tyre Saliun – që mbante me krenari emrin e heroit – i pritëm në LDK së bashku me bashkëluftëtarë të babës së tij, tani bashkëveprimtarë të tij politik”, ka shkruar Abdixhiku në postimin e tij në Facebook.
Kreu i LDK-së ka njoftuar po ashtu se Hysen Çekaj do të jetë kandidat i LDK-së për deputet nga mërgata, përkatësisht nga dega në Gjermani.
“Si kandidat i parë i mërgatës, ai vazhdon rrugëtimin politik e ideologjik të prindit të tij, Heroit Sali Çekaj, në shtëpinë e vetme rugoviste e të demokracisë”, shkroi Abdixhiku.