Hapet konkursi për pranim në Qendrën e Studentëve

Sot është hapur konkursi për pranimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës  në Qendrën e Studentëve për banim në konvikte dhe ushqim në mensë.

Sipas konkursit, për vitin akademik 2024/2025 në Qendrën e Studentëve, do të pranohen 4 mijë studentë të rregullt. Drejtues të Qendrës se Studentëve kanë bërë të ditur se edhe këtë vit çmimi do jetë i njëjtë. Po ashtu, edhe këtë vit  rreth 1 mijë e 500 studentë të cilët  nuk do të banojnë në Qendrën e Studentëve, mund të ushqehen në mensë.

Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, për vitin akademik 2024/2025 do të pranohen katër mijë studentë të UP-së.

Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari, i cili theksoi se sipas konkursit të shpallur, studentët deri më 19 shtator mund të konkurrojnë për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë

“Këtë vit në Qendrën e Studentëve do të pranohen rreth 4 mijë studentë të rregullt dhe 1 mijë e 500 të tjerë të cilët vetëm do të ushqehen në mensë. Gjithsej do të jenë 5 mijë e 500 studentë të cilët do të banojnë dhe ushqehen në mensë”, tha ai.

Rudari, tha se studentët do të pranohen bazuar në kriteret e konkursit, kurse sipas tij, studentët të cilët vijnë nga fshatrat, këtë vit do të marrin më shumë pikë.

”Aplikimi është në platformën online e cila është hapur sot.  Kriteret për pranim janë të njëjta si për pranim në konvikt ashtu edhe ushqyerje në mensë ku vendbanimi i tyre duhet të jetë 25 kilometra e më larg nga Prishtina. Studentët duhet të jenë studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina” , të cilët kanë mundësi të aplikojnë vetëm për ushqyerje në mensë. Këtë vit është risi se studentët të cilët vijnë nga fshatrat do të marrin pikë me shumë”, theksoi ai.

Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online. Konkursi do të jetë i hapur deri më 19 shtator.