Flamuri serb në ndeshjen Farul-Mitrovica, mediat rumune: Provokim dhe skandal i madh

Klubi i futbollit Mitrovica (femrat) ka luajtur sot kundër klubit rumun Farul Constanța, në kuadër të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve të femrave.

Vashat kosovare e humbën përballjen me rezultat 4-0, mirëpo ndeshja u përcoll me skandale.

“Skandal i madh në ndeshjen e Farulit në Ligë të Kampionëve”, është titulli i medias rumune “gsp.ro”.

Ky medium raporton se disa tifozë rumunë kanë shpalosur një flamur të Serbisë në tribuna dhe kanë thirrur “Kosova është Serbi”.

Kjo gjë ka bërë që ata të përjashtohen nga stadiumi.

Ngjarja ndodhi në minutën ‘27, pas një pushimi për hidratim, ndërsa ndeshja u ndërpre për rreth 5 minuta, pasi fansat e klubit rumun e shfaqën flamurin serb prapa bankës së mysafirëve, gjegjësisht ekipit Mitrovica të Kosovës.

“Fakti se gjyqtarja estoneze Reelika Turi ndërpreu ndeshjen, vetëm sa i bëri edhe më të zhurmshëm ultrasit, të cilët nisën të thërrasin, ‘Oli, ola / Kosova është Serbi’”, shkruan media rumune, gsp.

Delegatja e ndeshjes, Ewa Gajweska nga Polonia, u thirr në vend të ngjarjes.

Vendimi final ishte ky: tribuna prapa mysafirëve nga Kosova duhet të zbrazet dhe më pas ndeshja të rinis. Tifozët u ankuan, dhe derisa po largoheshin nga stadiumi, i vazhduan thirrjet e madje edhe bënë gjeste të turpshme, sipas “gsp”.

Si pasojë e incidentit, pjesa e parë u vazhdua për 7 minuta. Rezultati i kësaj pjese ishte 0-0, ndërsa ai final 4-0. Kështu, vashat kosovare nuk arritën të shkojnë më tutje.

Kujtojmë se për arsye të ngjashme, edhe ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës ishte ndërprerë për 50 minuta shtatorin e vitit 2023. Ultrasit rumunë thirrën “Kosova është Serbi” dhe paraqitën banerë me mesazhe të ngjashme nacionaliste serbe. Lojtarët e kombëtares së Kosovës patën lëshuar fushën.

Në ditët pas ndeshjes, Miruna Troncota, eksperte në shkencat politike në Shkollën Nacionale për Studime Politike dhe Administrative, SNSPA, sqaroi se pse ajo konsideron se ky mesazh është “shumë ofendues”.

“Fraza ‘Kosova është Serbi’ ofendon komunitetin politik të Kosovës duke thënë se ata nuk ekzistojnë si shtet, se vetëm Serbia ekziston, se viktimat e tyre në luftën me regjimin e Millosheviqit nuk ekzistojnë”.

“E them këtë sepse shumica e futbollistëve të Kosovës momentalisht, përfshirë edhe serbët e Kosovës, përfshirë edhe portierin, që duhet theksuar, kanë të afërt të drejtpërdrejtë që kanë qenë viktima të luftës së vitit 1999”.

Edhe mediat tjera rumune e kanë konsideruar veprimin e sotëm të tifozëve të ekipit vendas si “skandaloz”, e madje edhe “provokues”. /Klankosova.tv