Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, William Burns, shkoi në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, ndër të tjera u njoftuam se gjatë takimit me zotin Burns, Kurti e ka njoftuar atë për “rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës.”
Për “rritje dhe zhvillimi ekonomik”, edhe me kreun e CIA-s, Kurti aplikoi profecinë e tij vetëpërmbushëse; akrobaci klasike me përqindje pa substancë apo vlerë reale që nuk pasqyrojnë asnjë tregues të progresit ekonomik në krahasim me qeveritë e mëparshme.
Pretendimet e Kurtit – vite dritë larg realitetit objektiv në të shumtën e rasteve – se nën udhëheqjen e tij vendi ka përjetuar zhvillim ekonomik kanë qenë aq të shpeshta sa që shefi i qeverisë së Kosovës duket se tashmë është bërë pre e efektit iluziv të së vërtetës. Pra, në tendencën për të besuar se informacioni i pasaktë është i saktë pas pohimeve të përsëritura.
Zbërthimi i narrativës
Krahas faktit që periudha 2009-2019 ka rritjen mesatare ekonomike më të lartë, nëse merret parasysh rritja kumulative në tre vjet siç po i referohet Kurti, kjo është pasojë e rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës në vitin 2021, ku rritja ishte 10.7 për qind. Pas vitit 2021, rritja u ngadalësua ndjeshëm në vitet në vijim.
Kur jemi te 10.7-a e 2021-ës, kjo lidhet me bumin e rimëkëmbjes post-pandemike në fillim të atij viti, kur qeveria e drejtuar nga Kurti sapo kishte marrë frenat e ekzekutivit. Pra, rritja reale e BPV-së në muajt e parë të atij viti për një moment arriti në 16.3 për qind, ndërsa në gjysmën e dytë të të njëjtit vit rritja u moderua në 7.3 dhe vazhdoi të bjerë në rreth 2.1 në mesin e 2022.
Si përfundim, mesatarja e vitit 2021 ishte rreth 10.7. Pra, Kurti e mori atë me rreth 16 për qind dhe përfundoi me një mesatare që kishte potencial të ishte më e lartë.
Për hir të fakteve, as rritja dhe as trendi negativ gjatë atyre muajve nuk kishin lidhje me një Qeveri pa përvojë e cila porsa kishte filluar punën. Në vitet pasuese, në vend të politikave të mirëfillta [të cilat u propozuan nga ekspertë të fushës si Avdullah Hoti], u shpenzuan qindra milionë në pako sociale të cilat përveçse nuk ndihmuan askënd dhe shpenzuan buxhetin, kontribuuan në rritjen e mëtejshme të inflacionit.
Apo me ligjin për çmimet tavan i cili, edhe nëse hipotetikisht do të ishte efektiv ne zbutjen e inflacionit, thjesht bie në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë. E ekonomia e tregut të lirë duhet të duhet mbrohet me çdo kusht dhe me çdo çmim.
Kur jemi te inflacioni, gjatë kohës sa ishte në opozitë, ne një deklarate që ndoshta pasqyronte edhe përpjekjet e tij fillestare për te operuar ne kompleksitetin e numrave në ekonomi, Kurti kishte vërejtje të çuditshme për “inflacionin 3 për qind”. Me ardhjen e Kurtit në pushtet, Kosova theu rekord disa-dekadësh të inflacionit, i cili preku nivele dyshifrore.
Është e vërtetë se Kosova, si një ekonomi e euroizuar, është lehtësisht e ekspozuar ndaj presioneve inflacioniste ndërkombëtare, por është e vërtetë e madhe që Qeveria nuk ka marrë asnjë masë të mirëfilltë për të frenuar inflacionin. Ky ishte edhe konkluzioni i Bankës Botërore në një raport të vitit 2022.
Sa i përket rritjes se buxhetit, siç thotë një idiomë angleze, sëcili Tom, Dick dhe Harry e di se me çdo Qeveri, buxheti ka qenë në trend rritës. Dallimi me periudhën e Qeverise aktuale është se rritja është ndikuar në masë të madhe si shkak-pasoje e inflacionit.
Derisa buxheti është rritur nominalisht, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka të bëjë me efektin e inflacionit dhe rritjen e kostove. Pra, inflacioni i lartë ka rritur presionin mbi fuqinë blerëse, duke krijuar një lloj mirazhi të një buxheti në dukje më të lartë në terma nominalë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht një rritje proporcionale e aktivitetit real ekonomik.
Si përfundim, në vitin e fundit të Qeverisë Kurti, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.