Dodik zmbrapset pas vizitës së drejtorit të CIA-s në Bosnje: Shkëputja s’ka qenë kurrë politikë e RS-së

Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, i bëri këto deklarata pas një vizite të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, në Sarajevë më 20 gusht.

Burns e vizitoi Sarajevën të martën ku, ndër të tjera, diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Dodiku, tha një zyrtar i Qeverisë amerikane për Radion Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

Një ditë pas vizitës së Burns, Dodik shkroi në rrjetin social X tha se “lufta kundër terrorizmit është detyrim i gjithë botës së lirë dhe në këtë kuadër vizita e drejtorit të CIA-s, zotit William Burns, në Bosnje e Hercegovinë, është domethënëse”.

“Republika Sërpska është e përkushtuar ndaj kësaj lufte dhe mirëpret çdo bashkëpunim në këtë fushë”, tha Dodik.

Dodik pretendoi se entiteti serb nuk ka synime për t’u shkëputur nga Bosnja, por se “ka të drejtën e një lufte politike për statusin e saj, në përputhje me shkronjën e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse.

Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

“BeH është një bashkim i dy entiteteve të barabarta dhe tre popujve konstituiv, prandaj qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit bie mbi të gjitha komunitetet etnike është inkurajues,” tha Dodik.

Në mars të këtij viti, komuniteti i inteligjencës në SHBA në raportin e tij vjetor për kërcënimet në mbarë botën, në pjesën që ka të bëjë me BeH, përmendi emrin e Millorad Dodik.

“[Dodik] po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar monitorimin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto për Republikën Sërpska,” thuhej në dokument.