Turqia i dhuron FSK-së rreth 1 milion dollarë për ngritjen e kapaciteteve ushtarake

Ministri i Mbrojtës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar Turqia ka ndarë rreth 1 milion dollarë donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Dje zyrtarisht kemi pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë e cila ka ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, 31 milionë lira apo rreth 1 milion dollarë amerikanë donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes të jashtme ushtarake të qeverisë turke”, shkroi ai në Facebook.

Ai ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake.

“Falënderoj Republikën e Turqisë për donacionin dhe sigurojë që bashkëpunimi ynë i ndërtuar në frymën e besimit të dyanshëm, do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjik më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, potencoi Maqedonci.

Ndërsa vitin e kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria e i kishte blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, pati shkruar Kurti në Facebook.