Rohde: Hapja e Urës së Ibrit të bëhet nëpërmjet dialogut

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka nënvizuar mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për deklaratat e Boris Ruge, Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Në një postim në platformën X, Rohde theksoi se Gjermania ka luajtur një rol të rëndësishëm në KFOR që nga krijimi i tij dhe ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

“Ne mbështesim plotësisht të gjitha pikat që përmendi Boris Ruge. Gjermania ka bërë pjesën e saj në përkrahjen e KFOR-it që nga fillimi, duke kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë,” tha ai.

Rohde gjithashtu paralajmëroi se stabiliteti i arritur nuk duhet të vihet në rrezik për shkak të mungesës së dialogut apo veprimeve të pakoordinuara.

Ai ndau deklaratën e Ruge në platformën X, ku theksohej se “qëndrimi i NATO-s është se çështja e Urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut.”

Rogue u prit të martën në një takim në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën bisedoi për çështjen e urës, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”shkroi Rogue në X.

Ai shtoi se NATO-ja është krenare që i ka ofruar mjedis të sigurt të gjithëve në Kosovë në 25 vjetët e fundit, dhe shtoi se për urën mbi Ibër në takim me Osmanin e theksoi qëndrimin e aleancës se vendimet duhet të merren “përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”.

Ndërkohë, siç transmeton Telegrafi, Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës.

“Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Takimi i Osmanit me Ruge vjen një ditë pasi ajo e priti në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas.