Fotografitë: Screenshot – Pro Zë
Për kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, çështja e vetme për Urën e Ibrit është hapja dhe jo diskutimi.
Megjithatë, në orët e para të ditës Pro Zë raportoi drejtpërdrejt nga Ura e Ibrit duke konfirmuar vendosjen e veturave të tjera të KFOR-it, por dhe jo vetëm. Aty janë parë edhe policë të EULEX-it.
Menjëherë pasuan disa reagime nga krahu i pushtetit. Fillimisht ishte zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi, që tha se hapja e Urës së Ibrit nuk është vendim i njëanshëm i qeverisë.
“Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016”, shkroi fillimisht ai.
Më pas përmendi edhe raportin për Kosovën të Komisionit Evropian të vitit 2020.
“Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë”, vazhdoi Bislimi.
Në anën tjetër, deputeti shumë aktiv kur ka çështje të tilla, Mefail Bajqinovci, pohoi se është e konfirmuar me aktet e dakorduara mes shtetit tonë e Bashkimit Evropian që hapja e urës nuk përbën vendim të njëanshëm.
“Pra, e kemi të konfirmuar me aktet e dakorduara ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me dokumente, që Qeveria e Kosovës nuk po vepron njëanshëm. Raportet e Bashkimit Evropian po e kërkojnë hapjen e urës, ndërsa ne po zbatojmë rendin tonë kushtetues.”
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, vetë Kurti mirëpriti në zyren e tij komandantin e KFOR-it, Ulutas.
Përderisa nga ekzekutivi thanë se i pari i qeverisë informoi ushtarakun turk mbi angazhimin e tij rreth disa çështjeve me në theks të hapjes së urës, si hap i domosdoshëm i lëvizjes së lirë dhe integrimit, KFOR-i kërkoi që çdo vendim mbi urë të merret në kuadër të dialogut të Brukselit, e për ç’gjë kundërshtare pat qenë edhe presidentja Osmani.
Sipas kësaj të fundit, në kryeqendrën evropiane nuk mund të flitet për çështje të brendshme të Kosovës.
Fare në fund kujtojmë deklaratën e të parit të serbëve, Aleksandar Vuçiq, që pati thënë se Ura e Ibrit do të hapet mes datave 14 dhe 15 gusht./Përmbledhja