Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk mbështet asnjë ndryshim në statusin aktual të Urës Ibrit në Kosovë.
“Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Pavlovic Today.
Departamenti i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “veprimet e njëanshme dhe në vend të kësaj ta trajtojë çështjen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE”.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar, të njëanshëm dhe ta diskutojë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ky qëndrim përputhet me atë të partnerëve të QUINT-it, si dhe me BE-në dhe NATO-n.
Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Departamentit të Shtetit, është që “të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura mund të hapet për qarkullimin e automjeteve”.
Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës “të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.
Këtë qëndrim e ka argumentuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili dje tha për REL se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Përkundër këtyre thirrjeve nga SHBA, BE e KFOR që kjo çështje të adresohet në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka insistuar në hapjen e urës duke thënë se ky veprim është në të mirë të lëvizjes së lirë dhe se nuk është kundër askujt.
Siç transmeton Gazeta Express, aktualisht në Urën e Ibrit po kryhen disa punime dhe matje derisa KFOR po e vëzhgon situatën.