Konferenca “hollivudiane” e VV-së për Astrit Deharin, film e përtej filmi

Një konferencë e Lëvizjes Vetëvendosje u ftua për mesditën e sotme. Para Prokurorisë Speciale, partia e cila e ka pushtetin tash e 4 vjet, zgjodhi t’i akuzojë të gjithë për rastin e Astrit Deharit, por jo edhe veten.

Sami Kurteshi në ballë të konferencës, dhjetëra aktivistë e deputetë prapa tij, kishin dalur kinse për të dërguar mesazh para Prokurorisë Speciale.

Fotografitë e pankartat e vendosura në qendër të qytetit, më shumë ngjasonin një spektakël, se sa një kërkesë e mirëfilltë për drejtësi.

Kjo pasi, në asnjë prej fotografive, e as pankartave, nuk pati asnjë koment për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit para gati 2 vitesh. Apo, mbase pasi ato janë zhdukur nga Instituti i cili është nën menaxhimin e Albulena Haxhiut, nuk është i rëndësishëm si zhvillim?!

Përveç në pankarta e banerë, zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk u zu në gojë as nga Sami Kurteshi. Ky i fundit, akuzoi të gjithë. Thaçin, Veselin, Dhurata Hoxhën, AKI-në, Sylë Hoxhën, Vehbi Kashtanjevën, mediat. Por, nuk e përmendi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ishte dhe është në krye të MD-së, në kohën kur u zhdukën mostrat e Astrit Deharit. I suspendoi disa zyrtarë, por të njëjtit disa ditë më pas u kthyen nëpër vendet e tyre të punës.

Nacionale javë më parë raportoi ekskluzivisht se mostrat e Deharit janë gjetur. As për këtë, VV-ja nuk e pati asnjë qëndrim zyrtar.

Këtë situatë, kriminale e ka quajtur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ndjej dhimbje në shpirt për Astrit e Arbnor Deharin. Për prindërit e tyre, për gjithë familjen e tyre. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. E turpshme dhe kriminale që sot Sami Kurteshi në emër të LVV-së nuk e përmendi faktin se në kohën kur këta vetë po qeverisin kanë ndodhur edhe ngjarje tjera lidhur me këtë rast. Në koferencën që sapo përfundoj Vetëvendosje nuk tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore që është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, ka shkruar ajo.

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur konferencë për media para Prokurorisë Speciale për të dhënë “kronologjinë” e ngjarjes së, siç pretendojnë ata, “vrasjes në burg” të aktivistit të ndjerë, Astrit Dehari.

Këtë konferencë e mbajti anëtari Sami Kurteshi, i cili e dha rrëfimin e Vetëvendosjes për Deharin.

E kemi ftuar këtë konferencë për media për të treguar në mënyrë kronologjike rastin Dehari, dhe sidomos për veprimet dhe mosveprimet, e prokurorisë së shtetit, themelore dhe speciale, e sidomos mosveprimet e prokurorit special Afrim Shefkiu, që tani e tri vjet e nëntë muaj e ka mbajtur rastin dhe shkon në penzion pa e kryer hetimin për rastin e Dehari”, tha Kurteshi.

Kjo me rastin e pensionimit të prokurorit të këtij rasti, Afrim Shefkiu.

“Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit. Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit te Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i VV-së me qëllime te caktuara politike. Prej datës 5 gusht 2016 deri me 25 gusht, sipas policisë se Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashke me 5 aktivistë tjerë të VV-së për këtë sulm”, ka thënë Kurteshi.

“Ky arrestim ndodhi për të parandaluar dhe penguar protestën e opozitës më 1 shtator 2016, para parlamentit të Kosovës kundër Demarkacionit. Me urdhër politik nga maja e shtetit te involvuar ishin AKI, Policia, prokuroria dhe Gjykata, ku prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivisteve, ndërsa urdhrin e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit”, ka thënë Kurteshi./Nacionale