Gjykata Themelore Penale në Shkup ka vendosur për mosekstradim të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, në Serbi, raporton ATV.
Ramadani u ndalua më 17 korrik nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.
Ramadani, javën e kaluar u lirua me kusht dhe ndaj tij u vendos që i njëjti të qëndrojë në arrest shtëpiak deri në një vendim tjetër.
Ndryshe, më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.
Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.