QUINT-i me deklaratë të përbashkët: S’e mbështesim asnjë ndërrim statusi të Urës së Ibrit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, pas takimit që ambasadorët e QUINT-it mbajtën me kryeministrin Albin Kurti, u deklarua shkurt për media.

Siç raportohet, ai tha se shtetet e Quint-it, në konsultim me NATO-n, “nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të Urës së Ibrit”.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë… u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në mes të korrikut se Qeveria e tij synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.