Ka përfunduar takimi mes minatorëve dhe menaxhmentit të Trepçës, i cili nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Drejtori i Minierës së Stantërgut, Shyqri Sadiku ka thënë se takimi përfundoi pa sukses pasi minatorët po kërkojnë datë të saktë të ekzekutimit të pagave, por një gjë e tillë, sipas tij, aktualisht është e pamundur.
“E vetmja kërkesë e minatorëve është ekzekutimi i pagave. Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat përfundimtar për shkak se minatorët po kërkojnë datë, ndërsa deri më tani askush s’ka mundur të garantojë datë”.
“Bordi i Trepçës bashkë me menaxhmentin po diskuton me qeverinë përkatësisht ministrinë për planin e veprimit se si të dalim prej kësaj situate në një periudhë afatgjate. Besoj se ky plan është afër të arrihet. Ne kemi kërkuar mbështetje për një kohë të caktuar për shkak të gjendjes financiare që është Trepça”, tha Sadiku për Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se kanë marrë përgjigje pozitive nga ana e qeverisë për planin e veprimit, dhe se do të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Minatorët e Trepçës e kanë ndërprerë punën e tyre pasi nuk i kanë marrë pagat tash e dy muaj. Ata po protestojnë me të vetmen kërkesë, që pagat t’iu dalin në kohë.