Teksti që po lexoni është një “polemikë” e ndërmjetësuar
Droni Kamikaz i Baton Haxhiut, modeli (LM)
Shkruan: Durim Jasharaj
Bash kur kisha vendos të largohesha për një kohë nga rrjetet sociale, një shkrim i postuar në FB, një projektil i mbushur me gënjeshtra, shpifje e ofendime, qe sikur shenjë prej Zoti se kisha marrë vendimin e duhur. Natyrisht, largimi nga rrjetet sociale nuk përbën ndonjë rëndësi nacionale – është kryekëput personal si vendim dhe si rëndësi.
Pas një debati në emisionin Pressing – T7, kur po diskutonim për zhvillimet e fundit në RTK, kisha provuar të them, ndër tjera, se raporti i pushtetit aktual karshi medieve duhet të lexohet si një zhvendosje strategjike. Nëse pushtetet e kaluara përpiqeshin t’i kontrollonin mediet përmes parasë, pushtetit aktual me sa duket po i konvenon tensioni dhe ballafaqimi. Pra, në vend të blerjes: konfrontimi. Qëllimi ka ngelur po i njëjti, fatkeqësisht, vetëm metoda ka ndryshuar.
Pushteti i tanishëm e ka kuptuar se ballafaqimi me personazhe të botës së mediave dhe jo vetëm, të cilat asociojnë pashkëputshëm me pushtetin e së djeshmes, janë mënyra më efikase e mbajtjes dhe konsolidimit të pushtetit. Por, kjo zhvendosje strategjike nuk është thjesht e drejtuar kundrejt medieve. Ndoshta më së paku ka të bëjë me to. Ky ndryshim duhet të lexohet si betejë politike kundrejt partive opozitare, me ç’rast, medie dhe personazhe te caktuara, shihen si shtojcë, aktualisht si krahu më “radikal” i tyre.
Këtë betejë do ta fitojë pushteti aktual pikërisht sepse kjo betejë nuk po zhvillohet kundrejt medieve; ose, më saktë, nuk po përjetohet si një betejë ndërmjet një qeverie me pushtetin e katërt. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta dëshmojnë pikërisht këtë.
E megjithatë, diçka që duhet të thuhet dhe të nënvizohet me patjetër është mungesa e komunikimit të qeverisë me publikun përmes medieve. Kjo duhet lexuar si një nga dështimet e mëdha të kësaj qeverie, bashkë me ligjin e ri për KPM-në. Këso mungese transparence nuk di të ketë patur ndonjëherë. Unë besoj se në Kosovë ka medie te pavarura. Ka gazetarë të pavarur ndaj të cilëve të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Qeveria më së shumti. Ndaj tyre dhe ndaj nesh ajo ka përgjegjësi maksimale. Ajo mund ta ketë fituar luftën ndaj opozitës që vjen me petkun e medias, por e ka humbur një betejë tejet të rëndësishme të llogaridhënies ndaj publikut. Ajo zgjedhjet ndaj tyre ka për t’i fituar, por ka humbur mundësinë që të dëshmojë se është ndryshe nga të djeshmit. Ajo ka fituar kundrejt kundërshtarëve partiakomediatikë, por e ka humbur këtë betejë ndaj kujtdo që beson në llogaridhënie dhe mirëqeverisje pa ëndërruar veten në qeveri.
Kur pata filluar të dalë në debate televizive, e kisha më se të qartë se mbajtja e një pozicioni të tretë, është fort i zorshëm. Forca gravitacionale e këtyre dy poleve është kaq e madhe sa gati e pamundëson jetën e një pale të tretë. Punë e madhe! E kisha krejt të qartë se edhe arkitektura e emisionit, aty në studio ku të ulnin, krijonte edhe pavetëdijshëm një përceptim te publiku se ky përkiste me filan polin. Punë e madhe! E dija me saktësi se karrigia në të cilën ulesha nuk do ta kishte këtë fuqi hipnotike ndaj meje. Punë e madhe se do të më shanin e ofendonin herë njëra palë herë pala tjetër. Fantastike! Kjo veç përbënte nisjen e një rruge të gjatë për të shpëtuar prej kthetrave të të dyjave poleve. Punë e madhe edhe sikur këtë gjë mos ta kem arritur. Dikush tjetër, sigurisht që një ditë do ta bëjë. Më mjaftonte besimi se po bëja gjënë e duhur. Dyshim kisha edhe atëherë siç kam edhe sot se kjo gjë mund të arrihet përmes debatit nëpër studio. Sidoqoftë, ja vlente përpjekja. Në të tilla sipërmarrje duhet të guxosh gabimin, duke mos e aspiruar kurrë atë.
Në një fletërrufe të botuar në dy pjesë (dhe një Zot e di sa faqe të tjera presin dritën e botimit) mbushur deri në grykë me urrejtje, shpifje e ofendime, që droni kamikaz i Baton Haxhiut, modeli (LM), e kishte lansuar drejt meje, larg në mbretërinë e Savojës, në qytetin e Niçes e të Gramshit, një tekst që edhe lumi “Po” po i kishte zili për ndotjen dhe erën që barte. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte ajo thënja e Niçes, “Kush lufton me përbindësha duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë përbindësh; nëse shikon gjatë brenda humnerës edhe humnera do të shikojë brenda teje”… Vallë, e kisha marrë në konsideratë këtë frazë kur veç kisha vendosur të polemizoja?
Le t’i kthehemi pak dhe shumë shkurt fletërrufesë në dy pjesë. Fillimisht më lejoni që më parë të ndaj me ju një histori.
Moti kohë, një njeri nga anët tona vuante nga një varësi fort e çuditshme. Gjithçka thonë se nisi kur kishte ndarë mendjen të bëhej njeriu më i informuar i trevave të tij. Sa më shumë kishte informacione, aq më pak dinte. E edhe më pak po arrinte të formulonte ndonjë fjali që do të mund të kishte së paku kuptim. Dikur ai edhe kishte lexuar, e kishte shkruar diçka më shumë. Por, që prej se kjo mani pas informacionit e kishte marrosur, ai as nuk lexonte e as nuk po shkruante. Meqë të tjerët nuk mund të lexonin, atëherë po shkruanin për të. Një ditë, i ligështuar keq nga rënia e lavdisë së tij, i syrgjynosur larg informacionit dhe larg atdheut, takon një si veten por në moshë shumë më të ri. Me një zë gati të përlotur, i kërkoi t’ia nxinte jetën atij që ia kishte marrë pusin me ujin e kulluar të informacionit. Dhe i tha: “sa para do ti që t’ia nxish jetën, ditë për ditë, atij që më ka nxirë jetën mua?”. Nuk dihet sa e si, por zellriu e kishte marrë fort seriozisht detyrën e re që atëherë.
Pjesën tjetër të tregimit besoj ju e dini. Zoti B, nuk kishte pasur edhe aq suksese në rekrutimet e mëhershme si këtë herë. Megjithatë, në oborrin e tij kishte punë edhe për ata, që u gjetën për mrekulli edhe për nga detyra edhe për nga emërtimi. Ata u quajtën tastieristë. Ata do të ndihmonin me fjalën e shkruar.
Dhe krejt në fund dy fjalë për projektilin e stërmbushun me urrejtje, shpifje, sharje e ofendime.
Nga viti 2008 deri në dhjetor të vitit 2014, saktësisht, 15 dhjetor 2014, isha pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurrë më që nga ajo natë dhjetori, një ditë para ditëlindjes sime, nuk jam kthyer aty. U largova se nuk më dukej as demokratike e as e majtë. Në takimin e fundit më kujtohet ngërmimi i ish-sekretarit D.M.. Më pati thanë tekstualisht, “Mos gabo m’i taku aktivistët e mi”. Pak kohë më pas, paradoksalisht, sekretari do largohej pothuajse për arsye të njëjta nga Vetëvendosja. Të paktën formalisht. Kjo botë është fort e çuditshme, të kujton atë shprehjen e Gramshit, se kjo jetë është shumë e rëndë, dhe na duhet pak ironi që ta përballojmë.
Që nga dalja e deri sot jam përpjekur shumë që çfarëdo që bëj të jetë e zbrazur nga inati. Nuk e di a ja kam arritur. Jam munduar shumë. Më është dukur se ky është kushti fundamental për të vazhduar të merrem me atë që rëndom e quajmë politikë. Më duket se nuk kam shumë inat.
Një pjesë që kanë dalur nga VV, kanë përfunduar në anën tjetër të polit. Disa prej tyre u është dukur Vetëvendosja sikurse mua, jo shumë demokratike dhe jo shumë e majtë. Demokracinë dhe të majtën e kanë gjetur te partitë tjera ose kanë krijuar një të tillë vetë. Unë nuk isha edhe aq me fat. Në agoni edhe sot kërkoj që të lindë një e majtë demokratike, mundësisht pa inat. Jo për inatin e kurrkujt në botë por sepse i duhet Kosovës.
Tashti, mu më kërkohet të kem inat. Ja që nuk e kam. Së paku jo të asaj far feje që e keni ju. Më kërkoni të shpif, të shaj e ofendoj, por ja që nuk mundem kurrë ta bëj. Provoj mos ta bëj. Ju më kërkoni të jem si ju, por ja që nuk arrij ta bëj. Përpiqem të mos bëhem si ju.
Droni kamikaz, modeli (LM), thotë se jam mbrojtës i ri i pushtetit. Edhe po të ishte kështu, unë veç i ri nuk jam. Sapo u thashë që kam qenë aktivist që nga viti 2008. Nëse jam mbrojtës, atëherë jam fort i vjetër. Një tjetër shpifje brenda vetë shpifjes.
Më thotë se jam i parëndësishëm, ndërkohë shkruan dy statuse për mua, siç thotë populli “pikë në të terun”. Nëse jam i parëndësishëm pse shkruan për mua? A nuk të bënë kjo ty njeri që merret me gjëra të parëndësishme, njeri që merret me punë të kota. Kotagji. Por çfarë saktësisht nënkupton droni kamikaz (LM) me nocionin ‘të rëndësishëm’? Qartazi nuk ka të bëjë me mua por me mënyrën se si e përjeton veten ai vetë. Njerëzia i paska thënë pse merresh me këta njerëz të parëndësishëm. Vazhdimi i kësaj fjalie do të ishte pak a shumë kështu: kur ti je kaq i rëndësishëm. E dukshme që rëndësinë droni kamikaz e kalkulon me klikime. Pra, unë super i klikueshmi që merret me një fare pak të klikueshëm.
Por, kur shpërtheu saktësisht si llavë vullkani droni kamikaz (LM)? Kjo pyetje nuk shtrohet për t’i kërkuar heshtjen në të tashmen, por për t’i analizuar shërthimin plot vnerë tani. 20 vite qetësi shpirtërore, të kalkulohen së paku ato vite kur ky ishte 18 vjeç, hajde të themi që nga viti 2010. A mos vallë shpirti i tij i strukur i ka duruar aq shumë pushtetet e kaluara sa pezmi i tij nuk lidhet veç me qeverinë aktuale. Por siç thonë, kur dikush duron e duron, kur shpërthen pastaj humbet toruan. Në njëfarë kuptimi ky gjithmonë ka qenë me opozitën, me këtë opozitë që dikur ishte pozitë.
Më lejoni t’i them edhe njëherë, kujtdo që merr mundin të lexoj këtë tekst, njeriu nuk duhet të ofendohet jo vetëm nga njerëzit si droni kamikaz (LM) por as nga askush dhe asgjë në këtë botë.