*Artikulli u publikua në Radion Evropa e Lirë me datë 11 të këtij muaji
Adell Shaboviq është tejet i emocionuar që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore, Parisi 2024.
“Nuk mund të jem më krenar se kaq”, thotë ai, dy javë përpara se të udhëtojë për në Francë.
Megjithatë, shton se kultura dhe përkatësia e tij etnike nuk kanë qenë kurrë kaq shumë “nën mikroskop”.
Adelli, 21 vjeç, është pjesë e ekipit të notit në Universitetin Princeton në SHBA.
Me prejardhje është nga qyteti i Pejës në Kosovë, por i lindur dhe i rritur në Bruklin të Nju Jorkut. Familja e tij jeton prej dekadash në SHBA.
Në Olimpiadën Parisi 2024, Adelli do të marrë pjesë në garën stil i lirë prej 100 metrash.
Kjo i është mundësuar me ftesë të World Aquatics – e njohur deri vonë si Federation Internationale de Natation, apo Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit – si atlet i rangut më të lartë të Kosovës në ato që njihen si Universality Places në Parisi 2024.
Ftesa është konfirmuar më pas nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Çka janë World Aquatics dhe Universality Places?
World Aquatics, e njohur më herët si Federation Internationale de Natation, është organi i vetëm dhe ekskluziv në botë për të gjitha sportet ujore. Përfshin 209 Federata Anëtare Kombëtare në pesë kontinente.
Universality Places janë vende që u jepen atletëve nga Komitetet Olimpike Kombëtare të nënpërfaqësuara.
Bazuar në faqen e internetit të Olimpiadës, ato janë krijuar “për të rritur diversitetin e vendeve pjesëmarrëse në programin sportiv të Lojërave Olimpike”.
Për Adellin, i cila ka dy shtetësi – edhe të SHBA-së, edhe të Kosovës – ta përfaqësosh Kosovën është një ëndërr e realizuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se rrugëtimin për te gara për Kosovën e ka nisur nga “dashuria ndaj babait, familjes së tij të madhe dhe prejardhjes së gjakut të tij”.
Thotë se këtë ka nisur ta ndiejë herët në karrierën e tij të notit, të cilën e ka nisur si 10-vjeçar në një pishinë në Bruklin, ku edhe jetonte.
“Në fillim nuk isha shumë i mirë, por, sigurisht, vazhdoja të provoja dhe vazhdoja të notoja. Dhe, vazhdoja të bëhesha gjithnjë e më i mirë”, thotë Adelli.
Pas disa vitesh punë të madhe dhe not të shpejtë, ai thotë se ka rënë në kontakt me njerëzit e duhur në Kosovë dhe se ka nisur procesin e përfaqësimit të vendit – fillimisht duke u pranuar në Federatën e Notit të Kosovës dhe më vonë duke iu bashkuar klubit vendas, Ilirida, nga Fushë Kosova.
“Sigurisht që ka qenë një udhëtim shumë i gjatë, por jam jashtëzakonisht i emocionuar për kohën që po vjen”, thotë Adelli.
Pse Kosova dhe jo SHBA-ja? Adelli thotë se, thjesht, nuk ndihet njësoj për to.
“Nëse dal mirë në një garë që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, kjo nuk e sjell të njëjtin gëzim. Kur e përfaqësoj Kosovën, të gjithë [në familje] e dinë se çka po ndodh”, thotë ai.
Mbështetja e familjes thotë se ka qenë vendimtare për të. Dhe, kur e mori lajmin…
“… nuk e di nëse e kam parë ndonjëherë babanë tim duke buzëqeshur ashtu siç ka buzëqeshur kur ka mësuar se do ta përfaqësoj vendin”, thotë Adelli.
“Ai shpreson se do të arrij ta mbaj fokusin tim me të gjitha këto gjëra të tjera që po ndodhin… Ai shpreson që unë do ta bëj krenar popullin e Kosovës – gjë për të cilën po punoj shumë”, shton sportisti 21-vjeçar.
Cilat gjëra të tjera?
Prej se Komiteti Olimpik i Kosovës njoftoi se Adelli dhe Hana Beiqi do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Parisi 2024, Adelli u përball me kundërshtime brenda Kosovës.
Federata e Notit e Kosovës, e cila synonte të dërgonte një notar tjetër në Paris, tha se vetëm ai institucion ka të drejtë ekskluzive të propozojë sportistë që marrin pjesë në garat olimpike, duke shtuar se asnjë nominim i Komitetit Olimpik nuk mund të bëhet pa bashkëpunim me Federatën.
Në përgjigje, Komiteti Olimpik i Kosovës tha se Adelli dhe notarja tjetër, Hana Beiqi, nuk janë përzgjedhur nga ky institucion, por vetëm janë konfirmuar pas ftesës nga World Aquatics.
Si përzgjidhen atletët për Lojërat Olimpike?
Në Lojërat Olimpike, shtetet garojnë me sportistë të kualifikuar dhe me sportistë me ftesë për Universality Places.
Sportistë të kualifikuar janë ata që i arrijnë pikët e nevojshme, apo normën olimpike.
Përmes Universality Places garojnë ata sportistë që nuk i kanë arritur dot pikët e nevojshme për t’u kualifikuar.
Këta sportistë ftohen me qëllim që të rritet numri i garuesve nga shtetet që tradicionalisht kanë pasur delegacione më të vogla.
Në ekipin olimpik të Kosovës për Lojërat Parisi 2024 janë gjashtë sportistë të kualifikuar – në sportet e xhudos dhe boksit – dhe tre sportistë për Universality Places – nga sportet e notit dhe atletikës.
Në mesin e këtyre të fundit është edhe Adell Shaboviq.
Adelli nuk ishte befasi për Federatën e Notit të Kosovës.
Kreu i saj, Agron Zeqiri, në dhjetor të vitit 2023, e legjitimoi lidhjen e Adellit me Federatën e Notit të Kosovës dhe përmes një letre zyrtare deklaroi se ai do të mund ta përfaqësojë Kosovën në garat e organizuara nga ky institucion, por edhe nga Federata Botërore e Sporteve të Ujit, duke filluar nga 1 janar i vitit 2024.
Por, Zeqiri i tha më pas Radios Evropa e Lirë se letra ishte “gabim teknik”, se ishte lëshuar dhe nënshkruar “gabimisht” dhe se ai është “përgjegjësi i vetëm për këtë”.
Në kundërshtimin që Federata e Notit i bëri përzgjedhjes së Adell Shaboviqit, në disa raste u përmend edhe përkatësia etnike e prindërve të tij.
Drejtuesi i Klubit të Notit “Ilirida” nga Fushë Kosova, Ardian Hamiti, shprehu dyshimet se Federata e Notit po mundohet ta pengojë pjesëmarrjen e Adellit për shkak të etnisë së tij boshnjake.
Sipas tij, kundër Adellit po zhvillohet një fushatë raciste.
“Kemi parë një fushatë të egër, ku Adellin e thërrasin serb, e në disa raste edhe rus. Mendojmë se është një fushatë që nuk duhet të ndodhë në Kosovë”, i tha Hamiti Radios Evropa e Lirë.
Komiteti Olimpik i Kosovës e kritikoi Federatën e Notit të Kosovës për “etiketime dhe fyerje etnike” ndaj Adell Shaboviqit.
Zeqiri i mohoi akuzat dhe kërkoi hetime.
Adelli thotë se nuk e di përse po ndodh e gjithë kjo.
“Përpiqem shumë që të mos i kushtoj vëmendje këtij diskutimi”, thotë ai.
Kundërshtimi nga Federata, një histori e përsëritur
Mosmarrëveshjet lidhur me përfaqësimin nga Shaboviqi kishin nisur kohë më parë, kur notari e kishte paditur Federatën e Notit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), se nuk e kishte lejuar të garonte për Kosovën në Kampionatin Botëror të Sporteve të Ujit, të mbajtur në Doha të Katarit nga 2 deri më 18 korrik. Por, CAS ka thënë se nuk ka juridiksion të merret me padinë e Shaboviqit.
FNK-ja e kishte prezantuar këtë si fitore dhe kishte deklaruar se Shaboviqi kishte tentuar “jashtëligjshëm ta përfaqësonte Kosovën”.
Ndërkohë, nga KOK-u thonë se Shaboviq e kishte humbur rastin në CAS për arsye procedurale, pasi që ankesën është dashur ta parashtrojë atë fillimisht në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë.
Rasti nuk ishte bërë publik deri në daljen e vendimit përfundimtar.
Adelli është në dijeni se njerëzit janë duke vënë në dyshim përkatësinë e tij etnike, për shkak të mbiemrit Shaboviq, e për të cilin thotë se më herët ka qenë Shabaj, ashtu siç vazhdon ta ketë një pjesë e familjes.
Ai, po ashtu, shton se nëna e tij është nga Osetia e Gjeorgjisë.
“Unë nuk e di përse kjo përbën shqetësim. Pjesa më e madhe e familjes sime është nga Peja dhe unë jam shumë krenar për origjinën. Jam krenar për rrënjët e mia, për të qenët qytetar i Kosovës dhe shtetas i Kosovës. Kjo duhet të mjaftojë”, thotë Adelli.