Në shënim të Ditës memoriale të policëve të rënë në detyrë, kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla bënë homazhe në vendin ku u vra polici Enver Zymeri.
Kryetari Glauk Konujfca ka vizituar edhe familjen e policit Afrim Bunjaku, në Samadrexhë, i vrarë në Banjska nga strukturat kriminale të Serbisë, si dhe në familjen e policit Enver Zymeri në Duboc të Vushtrrisë, i vrarë në krye të detyrës në Zupç të Zubin Potokut 13 vjet më parë.
Kreu i Kuvendit tha se heronjtë Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, dhanë jetën e tyre pikërisht duke e mbrojtur shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Sot jemi më 26 korrik është pikërisht dita e kujtimit të të gjithë policëve të rënë në detyrë. Në të njëjtën kohë ne vizituam edhe familjet e Afrim Bunjakut dhe të Enver Zymerit heronjve tonë të cilët ranë, e dhanë jetën e tyre pikërisht duke e mbrojtur shtetin tonë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës….Bëmë homazhe për Afrimin, për Enverin dhe për të gjithë policët e tjerë që kanë rënë në detyrë 23 prej tyre duke e dhënë jetën e tyre dhe duke e dhënë shembullin se për të mbrojtur sigurinë e ardhmërisë tonë, sigurinë e fëmijëve tonë nuk duhet të kursehet as jeta. Gjithmonë institucionet e Republikës së Kosovës do të qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tonë, të policëve të tjerë të rënë në detyrë sepse vetëm kështu tregojmë se jemi shtet serioz, shtet i cili e ngreh në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën tonë të përbashkët”, ka thënë Konjufca.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka folur për masat e ndërmarra me rastin e garave të kërcimit në Ujman, të cilat mbahen për herë të parë me rastin e Ditës memorialë kushtuar policëve të rënë në detyrë. Ai ka thënë se prania e Policisë së Kosovës ka qenë e domosdoshme si masë e sigurisë, por jo si provokim.
“Siguria ka qenë në nivel dhe është në nivel të vazhdueshëm, kështu që konsideroj se çdo gjë do të përfundojë qetë. Në rast se ka nevojë për ndërhyje ne do të jemi këtu… Kjo ceremoni dhe këto kërcime që janë bërë këtu janë bërë, unë konsideroj që nuk janë bërë asnjëherë. Për këtë arsye masat e para merren për t’i siguruar që çdo gjë kalon mirë dhe qetë, kështu që janë masa të domosdoshme… Dikush mund ta shohë si provokim, por për ne është vetëm detyrë”, ka thënë Elshani.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë lidhur me refuzimin e ofrimit të masës së sigurisë për kryetarin e Komunës së Zveçanit, duke thënë se për këtë duhet të përgjigjet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Mitrovicës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka përkujtuar policët e rënë në detyrë, duke thënë se ata do të përkujtohen përherë.
“Falënderoj më së shumit ata të cilët dhanë jetën për këtë vend, për këtë shtet, falënderoj familjarët e tyre. Ju them se gjithmonë jemi në krah të tyre ashtu sikurse është edhe populli. Ne jemi munduar që çdo ditë jo vetëm t’i kujtojmë, por edhe t’iu shtyjmë përpara idealet e tyre… Unë dua të falënderoj edhe kërcimtarët, të cilët na kënaqën me aktivitetin e tyre, por edhe të gjithë të tjerët, policinë e Kosovës, ata që janë kujdesur që në këtë pjesë të territorit tonë të shënojmë këtë ditë… Kjo ditë do të kujtohet përgjithmonë. Ne do të punojmë që edhe numrin edhe aktivitetet t’i shtojmë dhe t’i kujtojmë dëshmorët tanë”, tha Sveçla.