Bekim Muji nga Gjilani fiton 250 euro në muaj duke punuar në një kompani private të sigurimeve në Prishtinë.
Kjo shumë thotë se nuk i mjafton as për të mbuluar shpenzimet elementare të familjes dhe shpesh detyrohet të marrë borxhe.
“Vetë i dyti jam, me bashkëshorten, por problem. Ato para nuk mjaftojnë. Marr borxh, kthej borxh, s’ke çfarë bën… Jeta është gjithqysh”, thotë ai për REL.
Shumë qytetarë të Kosovës detyrohen të mbijetojnë edhe më me pak, ndërkohë që çmimet e konsumit, si gjetiu në botë, janë rritur.
Paga minimale në vend vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, ndërsa mesatarja rreth 520 euro.https://datawrapper.dwcdn.net/gK3q5/8/
Osman Mustafa, punëtor ndërtimi nga Podujeva, thotë se një jetë dinjitoze për një familje 4-anëtarëshe në Kosovë, kërkon së paku 1.000 euro në muaj.
“Te ne në ndërtimtari nuk ka pagë nën 500 euro. Është më mirë se diku tjetër, por as këto nuk mjaftojnë”, thotë ai.
Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro. Ligji nuk ka hyrë në fuqi ende, por edhe kjo shumë është larg asaj që nevojitet për një jetë të dinjitetshme, thonë studimet.
Rreth pagës minimale
Ligji për pagën minimale në Kosovë – që do ta rrisë atë në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit – është miratuar në korrik të vitit të kaluar, por është sfiduar në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë të opozitës, për shkak të shkeljeve të pretenduara ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Por, në fund të muajit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim me të cilin ka konstatuar se në ligj nuk ka shkelje.
Gjykata, po ashtu, ka rekomanduar që ligji t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani për shpallje.
Një studim i Institutit Musine Kokalari në Prishtinë tregon se vetëm 20% e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme – me 1.152 euro neto në muaj, që i nevojiten një familjeje 4-anëtarëshe.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Qeveria t’i komentojë këto gjetje dhe e pyeti nëse ka ndonjë plan për ngushtimin e hendekut mes pagës minimale dhe pagës së vlerësuar për jetë të dinjitetshme, por nuk mori përgjigje.
“Çdo i pesti punëtor me pagë për jetesë të dinjitetshme”
Studimi i Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari në Prishtinë, i publikuar së voni, tregon se një familjeje 4-anëtarëshe, për një jetesë të dinjitetshme, i nevojiten mesatarisht 1.295 euro bruto apo 1.152 euro neto për një muaj. Ndërsa, një të rrituri beqar i nevojiten mesatarisht 816 euro bruto, apo 720 euro neto.
“Gjetja e këtij raporti është se vetëm një në pesë paga në Kosovë mund të konsiderohet si pagë jetese. Pra, vetëm rreth 20 për qind e totalit të pagave të llogaritshme në Kosovë e arrijnë këtë shumë, ndërsa rreth 80 për qind e tyre nuk e arrijnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marigonë Drevinja, drejtoreshë e programit të hulumtimeve në Institutin Musine Kokalari.
Për përllogaritjen e pagës së jetesës, tregon ajo, janë analizuar shpenzimet e ekonomive familjare, si: kostoja për ushqim dhe pije, për veshmbathje, për banim, për mirëmbajtje të shtëpisë, për shëndet, për transport, për komunikime, për aktivitete rekreative kulturore, për restorante dhe hotele, si dhe për mallra dhe shërbime të tjera.
Burim kryesor i të dhënave të përdorura në studim është Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare e vitit 2022, e cila është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Gjetjeve të studimit njësoj u bën jehonë edhe Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.
“Paga jetësore për një familje 4-anëtarëshe, që është llogaritur në 1.150 euro (neto), është reale dhe rrallëkush mund ta kalojë muajin nën këtë shumë të përcaktuar… sepse, viteve të fundit, kemi ngritje të çmimeve, inflacion, që është sjellë edhe në numra dyshifrorë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mesatarja e inflacionit në vitin 2022 ishte gati 12 për qind, ndërsa në vitin 2023 ishte gati 5 për qind.
Po sipas ASK-së, në majin e sivjetmë, çmimet e konsumit shënuan ngritje për 2.4 për qind, në krahasim me majin e vitit të kaluar.
Sindikalistët: Paga minimale nuk është negociuar fare
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për pagën minimale merret në bazë të rekomandimit të Këshillit Ekonomik Social.
Ligji për këtë këshill përcakton që ai duhet të përfshijë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të organizatave të punëdhënësve dhe të organizatave të punëmarrësve.
Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se niveli i pagës minimale, i cili është vendosur nga Qeveria e Kosovës, nuk është negociuar fare me sindikalistët.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se që nga marsi i vitit të kaluar, Këshilli Ekonomik Social nuk është mbledhur asnjëherë.
“Ne, si BSPK, jemi duke i bërë vazhdimisht presion Qeverisë së Kosovës që të mblidhet Këshilli Ekonomik Social dhe të negociohet paga minimale, e cila çdoherë në fund të vitit duhet të rekomandohet për miratim. Është me ligj që në çdo fund të vitit, paga minimale të negociohet”, thotë Hykolli.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it as për punën e Këshillit Ekonomik Social.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se 264 euro nuk kanë më vlerë, sepse fuqia punëtore, sipas tij, ka ndryshuar.
Ai thotë se as propozimi i sindikalistëve i vitit të kaluar, që paga minimale të jetë 450 euro, tashmë nuk qëndron.
“Ka qenë minimumi që ne kemi propozuar për vitin e kaluar, ndërsa për këtë vit nuk guxojmë as të mendojmë për një pagë nën 550 euro, minimalisht”, thotë Azemi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, fuqia punëtore në Kosovë është duke rënë, për shkak të migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore, pas liberalizimit të vizave nga 1 janari i këtij viti.
Ndonëse nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare se sa qytetarë të Kosovës kanë migruar jashtë vendit, mungesa e fuqisë punëtore është një nga arsyet që paga minimale në disa kompani është rritur, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, e cila përfaqëson komunitetin e bizneseve.
“E para, mungesa e fuqisë punëtore. Do të thotë, është zvogëluar oferta dhe ka kërkesë për më shumë punëtorë. E dyta, është çështja se kompanitë kanë nevojë ta ngrenë kualitetin e shërbimit ose kualitetin e produktit”, thotë Rafuna.
Sipas tij, pagat minimale në sektorin privat, në të shumtën e rasteve, janë mbi 400 euro. Por, ai thotë se as kjo vlerë nuk nënkupton pagë për jetesë të dinjitetshme, për shkak të çmimeve të larta të artikujve të konsumit të përditshëm dhe inflacionit.
Si të zvogëlohet hendeku?
Bektashi thotë se zvogëlimi i hendekut ndërmjet pagës minimale në Kosovë dhe pagës për jetesë të dinjitetshme të punëtorëve, nuk është i lehtë.
Por, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me kohë, duke përllogaritur për çdo vit shkallën e inflacionit.
“Në aspektin ekonomik, kjo diferencë mund të përafrohet vetëm nëse kemi ngritje të pagave sipas shkallës së inflacionit në vitin paraprak”, thotë ai.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011 dhe ajo është më e ulëta në Evropë.
Bektashi thotë se rritja e pagave varet, gjithashtu, nga zhvillimi ekonomik i vendit.
Banka Botërore ka parashikuar për këtë vit rritje ekonomike në Kosovë për 3.9 për qind, krahasuar me 3.2 për qind në vitin 2023.