Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, procedurën e standardeve të operimit, analizën e nevojave për personel të graduar sipas strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar, sipas së cilës janë identifikuar mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter, pas një periudhe mbi 11 vjet, me datën 12.02.2024 kishte shpallur procesin e gradimit për gradën rreshter, personel kyç për mbikëqyrje të vijës së parë dhe shërbimit sa më efektiv ndaj qytetarëve.
Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.
Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi.
Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.