Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer. Kryeparlamentari pas takimit ka bërë të ditur se me Nussbaumer kanë diskutuar për zhvillimin e Kosovës e po ashtu edhe për sfidat dhe sigurinë.
Ai përmendi rrezikun që i kanoset Kosovës për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.
“Kemi folur edhe për sigurinë në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Nëse Serbia lihet e pa ndëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë por me përmasa më të mëdha”, tha Konjufca.
Konjufca u shpreh se derisa Serbia vazhdon të jetë aleate e Rusisë ajo duhet të shihet si rrezik për tërë Ballkanin.
“Si një nga shtetet që nuk ka mbështetur sanksionimin e Rusisë përballë luftës së Ukrainës, dhe vazhdon të kultivoj bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet jo vetën rrezik për Kosovën por të gjithë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha Konjufca.