Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Kaçanik, ku u arrestua një person, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari, i cili ishte në kërkim për një rast të dhunës në familje, që ka ndodhur para disa ditësh, u revoltua pasi Policia arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij.
Sinjali mëson se i dyshuari fillimisht ka refuzuar shoqërimin në stacion policor dhe gjatë arrestimit ka rezistuar- ku për pasojë një zyrtar policor ka pësuar lëndime.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se personi që po dyshohet për këtë rast është Faton Laqi, rreth 38-vjeçar.