E FUNDIT: Vetëvendosje e rrëzon Rezolutën për grevat

Kuvendi i Kosovës, konkretisht mazhoranca nuk e ka votuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku kërkohej nga Qeveria që në një afat prej 48 orësh të zhvillojë dialog me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në mënyrë që të zhbllokohet situata me grevën.

Kundër rezolutës kanë votuar 39 deputetë, pro kanë votuar 22 dhe 6 abstenime.

Rezoluta kërkonte që në afat prej pesë ditësh të përfshihet Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në grupin punues për hartimin e Ligjit të pagave.

Gjatë ditës së djeshme shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri ka lexuar edhe tekstin e rezolutës.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në afat prej 48 orëve nga miratimi i kësaj rezolute të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së, apo personat e autorizuar deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës. Kërkojmë në afat prej pesë ditëve nga miratimi i kësaj rezolute të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar nga BSPK-janë grupin punues për hartimin e pagave, para miratimit të tij në qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha ai.

Gjatë debatit të djeshëm parlamentar për grevën në arsim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po e përdorë grevën në arsim si armë kundër tij.