Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Drejtoria Politike merrej me aspekte ndërkombëtare dhe politike, ndërsa ajo ushtarake kishte të bënte vetëm me çështje ushtarake.
“Nuk është ndarë Shtabi i Përgjithshëm në dy grupe, por pjesa politike është nda të veprojë me aspektet ndërkombëtare dhe me ndërkombëtarët, si me vëzhguesit që ishin në Kosovës, si me OSBE-në, si me të gjithë të merrej kjo drejtori dhe ky grup i pjesës politike, kurse çështja ushtarake është çështje ushtarake dhe të merret me çështje ushtarake”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Luka Mishetiq.
Zyrapi theksoi se grupi politik merrej me negociata dhe nuk përfshihej në çështjet ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Luka Mishetiq, në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt në vitin 2008, dëshmitari kishte thënë se nga maji deri në shtator të ’98-ës, operacionet ushtarake nuk autorizoheshin paraprakisht nga Shtabi i Përgjithshëm në asnjë vend të Kosovës. Këtë argumentim të mbrojtjes, dëshmitari e pohoi me kokë, por përgjigja e tij nuk u dëgjua për publikun.
Dëshmitari pohoi se qëndron fakti se nga momenti kur kishte hyrë në Kosovë e deri në momentin që ishte larguar në shtator, nuk kishte komunikime të rregullta në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave.
“Vështirë ka qenë të komunikohet, përveçse nëse kemi shku, kam shku në atë zonë ose ai ka ardhë kah Shtabi, e që kemi mujtë të takohemi se ka qenë e vështirë. Nuk kemi pas një komunikim në mënyrë komunikuese në telefon ose…unë personalisht po foli, as me radio-lidhje, po kam mujtë vetëm fizikisht të takohem me ta”, tha tutje dëshmitari.
Sipas Mishetiqit, në çështjen ndaj Milutineviqit, dëshmitari kishte thënë që ka pasur një sallë komunikimi në të cilën ishte caktuar një oficer.