Kosova ndodhet në një momentum kyç ku duhet adresuar sfidat dhe mundësitë e procesit të Drejtësisë Tranzicionale.
Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në tryezën me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale” që u mbajt në Prishtinë.
Gjatë diskutimeve u theksua se kjo strategji përshkruan synime ambicioze duke filluar nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënies deri tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike.
Haxhiu tha se me miratimin e kësaj strategjie, Kosovës i është krijuar një kornizë e rëndësishme për trajtimin e shkeljeve masive të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.
Përveç kësaj, Haxhiu tha se kjo strategji përfaqëson një moment të rëndësishëm shoqëror dhe institucional në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të promovuar dialogun shoqëror dhe për të forcuar paqen e qëndrueshme.
“Kosova ndodhet në një momentum kyç në të cilin duhet adresuar sfidat dhe mundësitë e procesit të drejtësisë tranzicionale. Rrjedhimisht edhe kjo strategji përfaqëson një moment të rëndësishëm shoqëror dhe posaçërisht institucional në përpjekjet tona kolektive për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të promovuar dialogun shoqëror dhe për të forcuar paqen e qëndrueshme…
Strategjia për drejtësinë tranzicionale përshkruan synime ambicioze, nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënies tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, udhëheqësi i divizionit nga Ministria e Drejtësisë, Baki Svirca prezantoi Planin e Veprimit të Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale.
Ai tha se për këtë strategji janë ndarë, 15 milionë euro dhe se kjo strategji është fokusuar në katër objektiva strategjike të cilat janë ndarë në 18 objektiva specifike, për të cilat janë planifikuar 112 aktivitete.