Ministri i Punës në Serbi, Nemanja Staroviq, tha se nuk është shumë optimist për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi në kuadër të dialogut nën patronazhin e BE-së pas raundit të fundit të mbajtur në nivel teknik në Bruksel.
Staroviqi për RTS tha se në bisedimet e djeshme në Bruksel, ku morën pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ” ishin, si gjithmonë, të vështira dhe të lodhshme, që zgjatën shtatë orë dhe nuk dhanë rezultate”, përcjellë Beta, transmeton Klankosova.tv
Sipas tij, “Prishtina refuzon të diskutojë as për draft-statutin e ri evropian të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Ai shtoi se palëve u është lënë afat deri më 18 korrik për të dërguar deklaratat me shkrim për propozimet e paraqitura, transmeton Klankosova.tv.
Staroviqi gjithashtu theksoi se Beogradi nuk duhet të jetë pala që tërhiqet nga tryeza e bisedimeve, sepse pasojat mund të jenë “shumë drastike”.
Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë pas takimit të djeshëm se pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazike, përkatësisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.