Fondi i Sigurimeve Shëndetësore e ka ndihmuar deputeten Ganimete Musliu me 30 mijë Euro për trajtim në Gjermani.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore e ka ndihmuar deputeten Ganimete Musliu me 30 mijë Euro për trajtim jashtë vendit për shkak të një problemi shëndetësor.
Në vendimin e Bordit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike më datë 21 dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se Musliu kishte aplikuar përmes procedurës së rregullt më datën 3 prill. Aplikimi sipas këtij dokumenti u bë me arsye se trajtimi i nevojshëm nuk mund të ofrohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gazeta i ka dërguar pyetje deputetes Musliu pse nuk i është dhënë mundësia për trajtim në QKUK por ajo nuk ka kthyer përgjigje edhe pas më shumë se një jave. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga menaxhmenti i SHSKUK-së/QKUK-së.
Pasi e mori vendimin nga FSSH, deputetja Musliu pati udhëtuar për në Gjermani më 18 shkurt të këtij viti për trajtim në një spital.
Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk kanë dhënë sqarime për këtë rast.