Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk dëshiron dialog” dhe sipas saj “i frikësohet takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ka argumente të dobëta”.
Ajo tutje ka shtuar se ka përshtypjen që ai nuk duhet të ulet përballë Vuçiqit, sepse ai ka argumente, nuk ka frikë të thotë të vërtetën dhe nuk turpërohet të kërkojë përgjigje.
“Mendoj se edhe një herë është treguar pa mëdyshje se Kurti nuk dëshiron dialog, asnjë bisedë. Ai po ashtu me këtë gjest ka përsëritur se nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen e Brukselit, të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, dhe përshtypja ime është se ai nuk duhet të ulet përballë presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse ai ka argumente, nuk ka frikë të thotë të vërtetën dhe nuk turpërohet të kërkojë përgjigje. Ai kërkon të dëgjojë kur të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit, do të zbatohet”, deklaroi ajo, raporton Tv Pink.