Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sulmet e fundit verbale të liderëve të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura gjyqësore, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në shoqëritë demokratike, ndarja e pushteteve është thelbësore, thuhet nga OEK.
”Prandaj, institucionet e pavarura duhet të veprojnë pa ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit demokratik.
Deklaratat që cenojnë këto institucione janë të papranueshme, meqë shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike, për ndërtimin e të cilave, Kosova ka punuar shumë.
Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit. Kjo përfshin jo vetëm kryerjen e funksioneve dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre, por edhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të tjera. Formulimi i politikave, ndërtimi i konsensusit, hartimi i legjislacionit dhe rishikimi i akteve ligjore duhet të bëhen brenda kufijve të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.
Oda Amerikane u bën jehonë thirrjeve të misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare në të kaluarën për respektim të vendimeve gjyqësore. Ky respekt është kritik për të ardhmen demokratike të Kosovës.
Ekzekutivi dhe të gjithë hisedarët politikë duhet të njohin dhe respektojnë pavarësinë e të gjitha shtyllave të pushtetit, duke përfshirë gjyqësorin, median, shoqërinë civile, sektorin privat dhe organet e pavarura rregullative. Mbajtja e këtyre parimeve siguron llogaridhënie dhe transparencë, të cilat janë jetike për ndërtimin e besimit publik, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, përmirësimin e qeverisjes, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive dhe parandalimin e abuzimit me pushtetin.
Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u kërkon udhëheqësve të shtetit që të respektojnë vendimet gjyqësore dhe të përmbahen nga deklaratat që ndërhyjnë në punën e gjyqësorit. Institucionet e Kosovës kanë obligim të vazhdueshëm që të respektojnë sundimin e ligjit në të gjitha rrethanat, duke shmangur në këtë mënyrë ushtrimin arbitrar të pushtetit”.