Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, ka bërë thirrje që të hënën të nis mësimi.
Kjo, për shkak që siç thotë ai për Front Online, është kaluar çdo kufi s ai përket grevës.
“Unë personalisht jam ithtar i asaj që të hënën gjithsesi më fillu mësimin, mendimi im është pa ndonjë trysni. Edhe të hënën gjithsesi duhet me fillu sepse është kaluar çdo limit dhe çdo kufi”, ka thënë ai për Front Online.
Ndërsa, ka bërë të ditur se në këtë komunë aktualisht janë vetëm dy klasë të cilat janë duke mbajtur mësimi, ku njëra prej tyre ka filluar sot.
“Asnjë shkollë komplet nuk ka fillu mësimin. Një mësuese që nga dita e parë në shkollën “Ramiz Sadiku” nuk ka mbajtë grevë, ndërsa edhe sot një mësuese tjetër ka filluar mësimin në një shkollë tjetër”, është shprehur drejtori Gega.
Gega, ka treguar se edhe një shkollë ka paralajmëruar që të hënën do të nis mësimin, por se ende nuk ka marrë ndonjë vendim.
“Shkolla e muzikës ka paralajmëruar se do të fillojë mësimin, nuk e dimë saktë se çka do të ndodhë të hënën”, ka shtuar Gega.
Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.
SBASHK-u së fundmi ka dalë edhe me tri kërkesa të reja për Qeverinë e Kosovës. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërkuar që nga janari i vitit 2023 të ketë rritje prej 10 për qind të pagës për mësimdhënësit.
Ndërkohë deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publik duhet të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Kurti me pakon e re mbështetëse.
Në pikën dy të kërkesës së SBASHK-ut, kërkohet që të ndryshohet ligji për Skemat Pensionale, kushti 15 vite përvojë punë dhe pika tre që deri në fund të vitit 2022 të fillojë së zbatuari Ligji për sigurime shëndetësore nga viti 2023./Front Online