Janë bërë tri javë që kur në Kosovë ka filluar greva në arsim.
Që nga 25 gushti kur edhe ka filluar greva Sindikata e Bashkuar Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka bërë thirrje që të vazhdojë greva deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkesa, ka të bëjë me rritje të pagës prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Por, jo të gjitha shkollat e vendit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së SBAShK-ut, shkruan Front Online.
Ka prej tyre që janë duke e mbajtur mësimin plotësisht e ka prej tyre edhe pjesërisht.
Numri i tyre kap shifrën gjithsej 14.
Në Ministrinë e Arsimit për Front Online, kanë bërë të ditur se mësimi është duke u zhvilluar në Prishtinë, Gjakovë, Podujevë, Kamenicë, Ferizaj, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Pejë, Deçan, Viti, Kaçanik, Prizren, Shtime e Vushtrri.
“Në Prishtinë mësimi është duke u zhvilluar në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, po ashtu në Qendrën Burimore “Përparimi”. Ndërkaq, në shkollat “Faik Konica”, “Xhavit Ahmeti”, “Ismail Qemali”, “Andon Z. Çajupi”, dhe “Dituria”, mësimi është duke u zhvilluar pjesërisht”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Front Online.
Ndërsa, në Gajkovë mësimi në disa shkolla është duke u zhvilluar komplet, derisa në disa të tjera pjesërisht.
“Në Gjakovë mësimi është duke u zhvilluar në këto shkolla: Në SHFMU “Mustafa Bakija”, SHMLE ”Kadri Kusari”, SHFMU “Mazllum Këpuska”, SHFMU “Fan Noli”-Dujakë dhe në Qendrën e arsimit Profesional. Ndërkaq, në shkollat “Emin Duraku”, “Fehmi Agani”, “Kelmend Rizvanolli”, “Yll Morina”,”Zekeria Rexha”,”Shtjefën Kurti” në Novosellë e Epërme dhe në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, mësimi është duke u zhvilluar pjesërisht”, thuhet më tutje në përgjigje.
Mësimi komplet është duke u zhvilluar edhe në disa shkolla të Kamenicës.
“Në Kamenicë, mësimi është duke u zhvilluar në këto shkolla: SHFMU “Hasan Prishtina” në Busavatë, SHFMU “Asllan Thaçi në Karaçevë të Poshtme, në paralelen e ndarë të shkollës “Kadri Zeka” në Hogosht, në Gjimnazin “Ismail Qemali” dhe në SHFMU “Xhelal Sopi” në Petroc. Kurse pjesërisht mësimi është duke u zhvilluar në shkollat “Abdullah Krashnica”, “Dëshmorët e Kombit”,”Xhavit Ahmeti”, në Hodonoc “Adem Hashani” në Muqivërc. Procesi edukativ është duke u zhvilluar edhe në Institucionin parashkollor “Filizat”, ka bërë të ditur ministria, për Front Online.
E, përveç dy shkollave të tjerat në komunën e Podujevës janë duke e zhvilluar mësimin.
“Në Podujevë përveç dy shkollave, në të gjitha shkollat tjera është duke u zhvilluar procesi edukativo-arsimor por jo me kapacitete të plota. Po ashtu, Institucioni parashkollor “Armela”, është duke e zhvilluar normalisht procesin edukativ”, thuhet në përgjigje.
Sipas të dhënave që i posedon Inspektorati i Arsimit, në Ferizaj është duke u mbajtur mësim pjesërisht në shkollat “Gjon Sereçi”, dhe shkollën “Hajriz Muhadini”.
Kurse, në Fushë Kosovë është duke mbajtur mësim Gjimnazi “Hivzi Sylejmani”.
Mësimi është duke u zhvilluar edhe Mitrovicë.
“Në Mitrovicë, mësim janë duke zhvilluar paralelja e ndarë e shkollës “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve -në Mitrovicën Veriore dhe 3 mësimdhënës të ciklit të ulët. Po ashtu, mësimi është duke u mbajtur edhe në Qendrën Burimore “Nëna Terezë”, bëhet e ditur në përgjigjen e ministrisë.
Grevën nuk janë duke e zhvilluar edhe disa shkolla në Pejë dhe Deçan.
“Në Pejë është duke u mbajtur mësimi pjesërisht në shkollën “Lidhja e Prizrenit, dhe në shkollën “Ramiz Sadiku” dhe po ashtu në IIAP “Ali Hadri”. Në Deçan në shkollën “Jusuf Gërvalla”, një mësuese e klasës së 3 është duke mbajtur mësim”, thuhet më tutje në përgjigjen e MAShT-it për Front Online.
Kurse, në Viti në paralelen e ndarë të shkollës “Nazmi Pajaziti”, mësimin e ka filluar një mësimdhënës.
Në Kaçanik dy mësimdhënëse të ciklit klasor të shkollës “Emin Duraku”, dy mësimdhënëse të ciklit klasor 1-5 janë duke mbajtur mësim.
Nga ministria kanë treguar për situatën edhe në Komunën e Prizrenit.
“Në Prizren në shkollën e mesme teknike “11 marsi”, 17 përqind e stafit nuk janë në grevë. Në Qendrën Burimore “Lef Nosi” mësimin po e mbajnë rreth 25 përqind të mësimdhënësve”, ka bërë të ditur ministria.
Kurse, në Shtime mësimi është duke u mbajtur në Qendrën Burimore “Shpresa”.
E, në Viti janë duke e mbajtur mësimin vetëm dy klasë.
“Në Vushtri në shkollën “Mustafë Venhari” (kl.1-5), punojnë vetëm 2 mësimdhënëse të tjerët janë në grevë”, thuhet në përgjigjet e MAShT-it
SBASHK-u dy ditë më parë ka dalë edhe me tri kërkesa të reja për Qeverinë e Kosovës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërkuar që nga janari i vitit 2023 të ketë rritje prej 10 për qind të pagës për mësimdhënësit.
Ndërkohë deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publik duhet të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Kurti me pakon e re mbështetëse.
Në pikën dy të kërkesës së SBASHK-ut, kërkohet që të ndryshohet ligji për Skemat Pensionale, kushti 15 vite përvojë punë dhe pika tre që deri në fund të vitit 2022 të fillojë së zbatuari Ligji për sigurime shëndetësore nga viti 2023./Front Online