Mot shumë i nxehtë do të vazhdojë të mbretërojë edhe përgjatë ditës së sotme në vend. Pasdite priten zhvillime të vranësirave, që përreth zonave malore mund të shoqërohen me ndonjë rrëbesh shiu, sipas “Mendimi për motin”.
Duke shkuar nga mbrëmja, nga pjesë veriore të vendit, nuk duhet përjashtuar mundësi për depërtime të rrebesheve kalimtare, që mund të zhvillohen nga rajoni.
Temperaturat minimale në pjesë të vendit nuk pritet të zbresin nën 20C, e maksimalet shkojnë deri në 35C e 37C, lokalisht edhe në 38C. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga perëndimi e jugperëndimi 2-5m/s.
Mot i paqëndrueshëm parashihet të përfshijë vendin nga dita e diel.
“Pasdite priten rrebeshe e bubullima në pjesë të vendit. Të hënën, sipas parashikimeve të fundit, në pjesë të vendit mund të vije deri tek zhvillime edhe të stuhive më të ashpra me shi dhe breshër. I ndryshueshëm mbetet moti edhe të martën dhe mërkurën, me intervale me diell paradite, e orëve të pasdites me kushte për rrebeshe shiu e bubullima. Temperaturat zbresin në 30C, të hënën, e deri të mërkurën në 27C”, thuhet në njoftim.