Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” planifikon të hedhë në votim javën e ardhshme në seancën plenare të Kongresit spanjoll një propozim jo legjislativ me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.
Nisma e cila do të debatohet të martën e ardhshme, argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.
Duke iu përgjigjur arsyetimeve të pesë shteteve të BE-së që s’e njohin ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja, “Junts” ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë si e tillë.
“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.