Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë se tubimet e subjektit të tyre politik kohës së fundit, janë më shumë tradicionale se sa që ka diçka risi dhe se opozita është ajo që i ka shtyer zgjedhjet.
”LVV prej se është krijuar, në datat të cilat i ka mbajtur aktivitetet ne i kemi quajtur si ditët e Lëvizjes, pra nga 10 qershori duke filluar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e duke përfunduar parmbrëmë në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, është shumë tradicionale dhe këtu nuk ka diçka risi, dhe nëse kthehemi vit për vit se çka kemi bërë është e njëjta gjë’’, deklaron ai.
Deputeti Rexhaj, thotë se në këtë aspekt me tubime të tilla i mbajnë gjallë aktivistët dhe e aktivizojnë strukturën e tyre politike, duke thënë se opozita është ajo që i ka shtyer zgjedhjet.
‘’Pastaj në anën tjetër a duket si fushatë, dhe natyrisht në këtë aspekt e mbajmë gjallë dhe e aktivizojmë strukturën tonë dhe për zgjedhje ne kemi thënë se jemi të gatshëm çdo herë, por siç duket opozita nuk do zgjedhje, opozita i ka shtyer zgjedhjet dhe kryeministri Kurti do e përfundoj mandatin në kohë rekord, do të jetë kryeministri i parë i Kosovës që e përfundon mandatin deri në fund’’, thekson ai.