Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.
Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.
Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.
Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.
Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.