Krasniqi-Kurtit: S’po të them vëlla se po nervozohesh, lëviz nga zyra o njeri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, i ka quajtur paranojake deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se të gjithë kanë dale kundër tij. Krasniqi është tallur edhe me satirën e Kurtit për termin “vëlla”.

Krasniqi këto i ka deklaruar në seancën plenare të së enjtes, ku po diskutohet për grevën në arsim dhe administratë publike, shkruan lajmi.net.

“Problemi është se nuk janë krejt tu u marrë me Albin Kurtin, por Albin Kurti duhet me u marrë me krejt. Ai në ato bindjet e tyre shumë problematike, ai mendon se krejt po mendojnë për të. Njerëzit janë t’u mendu për telashe të veta. Na kanë shti në sendviç, në njërën anë qeveria, në anën tjetër sindikata. Kush është humbësi? Këtu humbës para së gjithash janë fëmijët, prindërit dhe mësimdhënësit. A përnime po mendoni se arsimtartë nuk po dojnë me shku në shkollë? A përnime po mendoni se kreu i sindikatës i kontrollon ata si me joystick a?”, deklaroi Krasniqi.

Deputeti i PDK-së po ashtu tha se kryeministri Kurti nuk e njeh realitetin në Kosovë, meqë sipas tij, nuk po del asnjëherë nga zyra e tij.

“Ty kryeministër nuk të ka parë njeri i lem e i gjallë duke dalë prej zyre. Nuk ka mujtë kryeministri me shku deri në Rahovec me i pa njerztë që i ka marrë uji. Duke e kultivu atë arrogancën që e ka, ai po thotë që krejt janë kundër meje”, përvijoi ai. “Qe s’po i thojmë o vlla se po nervozohet, lëviz o njeri”.

Krasniqi tërhoqi vërejtjen se grevat janë kthyer në një fenomen dhe nuk po ndodhin vetëm në arsim.

“Sot po e vazhdojmë diskutimin ku e kemi nisë para ni jave, për grevat në arsim por jo vetëm edhe në arsim. Në grevë janë edhe shërbyesit civil, edhe administratat në universitet dhe të gjitha komunat e Kosovës. Pra, nuk është problemi vetëm me arsimin. Duhet ta kemi parasysh se janë edhe dhjetra e mijëra punëtorë të tjerë të cilët janë duke grevuar. Për më shumë, sot e pamë që kishte grevë një-orëshe në MPJD. Ka pasur paralajmërime për greva edhe në sektorin e shëndetësisë. Pra, na jemi duke folë për një situatë, ku krejt shteti është në rrezik me u blloku”, paralajmëroi kreu i PDK-së në Kuvend.

Krasniqi përmendi edhe problemet e tjera me të cilat po përballet Kosova, i cili tha se Qeveria Kurti nuk po ndërmerr asgjë.

“Për mu është problematike kur e dëgjova edhe njëherë tu shpjegu [kryeministri] se gjithçka është mirë. Nuk është kurrgjë mirë, gjithçka është përkeqësu. Inflacioni është 15 për qind mesatar, përmbi 30 për qind është tek shërbimet esenciale. Kriza e energjisë ka me qenë e tmerrshme. Në çdo hap ka telashe të mirëqenies sociale qytetare. Neve del kryeministri na tregon se qysh i ka ndihmu këtij e atij”, tha më tej deputeti Krasniqi.