Në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, në oborrin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” pranë sheshit “Adem Jashari” është përuruar shtatorja e Leotrim Ahmetit, shtatëvjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në emër të familjes Ahmeti, ka folur para të pranishmeve Milaimi, i cili kërkoi që të ndërtohet një obelisk që përkujton të gjithë fëmijët e vrarë.
“Sot Leotrimi po kthehet në qytetin e tij të lindjes si një shembull i ndërgjegjes botërore të dhimbjes shekullore të shqiptarëve. Sa Leotrima të tjera anë e mbanë Kosovës ranë që ne sot të gëzojmë e festojmë me dhimbje e krenari”, tha ai.
“Dhembjes së Leotrimit sot i shtohet edhe më shumë mungesa e çlirimtarëve, e bashkëluftëtareve të Malushit (babait të tij) që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, shtoi ai.
Në këtë ceremoni e zbulimit të shtatores, kryetari i kësaj komunës Fadil Nura, tha se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leotrimit.
“Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leotrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës”, tha Nura.
“Pyetja e vetme që shtrohet më adresën e është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si shtatëvjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjëroj mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.
Ndryshe, Leotrim Ahmeti si shtatëvjeçar vdiq më 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros.
Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, si luftëtar ra babai i tij Malush Ahmeti.
Skulptori Sadri Behramaj kishte a deklaruar se për punimin e kësaj skulpture u frymëzua nga intervista e Nusret Pllanës me nënën e shtatëvjeçarit në Radio Televizionin e Kosovës.