Dy muaj pas martesës, mori rrugën për në Bosnje dhe Hercegovinë.
Këtu, shkupjani Hajursh Ziberi në fillim të janarit të vitit 1992, u punësua në një kafene të Bijelinës.
E gjitha kjo me shpresën për një jetë më të mirë.
Por, në fillim të prillit të atij viti, njësiti paramilitar famëkeq “Tigrat” e Arkanit, pushtuan rrugët e Bijelinës.
Kjo me arsyetimin se, duhej ta pastronin qytetin nga “fundamentalistët islamik”.
Por krejt çfarë gjetën në Bijelinë, ishin civilët e pambrojtur boshnjakë e shqiptarë.
E në mesin e tyre, edhe shqiptari i ri nga Shkupi, Hajrush Ziberi.
Bashkë në atë ditë tragjike, ishte edhe vëllai i vogël i Hajrushit, Nadiu.
“Ne ishim në Bijelinë, punonim, sepse ai pronari e kishte një burektore dhe një kafe. Unë punoja në byrektore e Hajrushi në kafe. Ka qenë janari kur kemi shkuar në vitin 1992”, tregon ai.
Nadi Ziberi, ekskluzivisht për Tëvë1, ka zbuluar se ishte vendimi i të vëllait të madh, që i shpëtoi jetën.
“Tri orë para se me u ba masakra, mua vëllai (Hajrushi) me ka larguar me disa shokë të vet të anës se Tetovës. Ai nuk erdhi pasi që e kishte regjistrua lejen për kerr. M’i dha disa para dhe një letër ma dha me ia dërgua vëllait, në të cilën kishte shkruar që situata nuk është mirë dhe Nadiun po e largoj nga këtu, unë i kisha 14 vjet atëherë, ai i kishte 22 vjet, dy muaj pasi ishte martuar”, rrëfen Nadi Ziberi.
Hajrush Ziberi, fillimisht u torturua nga forcat paramilitare serbe.
E më pas edhe u vra nga “Tigrat” e Arkanit.
Fatin tragjik të tij, familja e mësoi vetëm pas 13 vjetëve.
“Ne kemi pas shpresë së mos është gjallë, 13 vjet kemi pritur mos është gjallë, pastaj e kemi kuptuar që është vrarë. 3:30 Në Sarajevë kur shkuam, na i treguan eshtrat, po sipas rrobave që i kishte veshur, 100 perqind ishte vëllai, sepse ndryshe nuk identifikohej, pasi e kishin hedhur në lum për 6 javë”, shprehet Ziberi.
E krejt këto foto, u shkrepën nga fotoreporteri amerikan, Ron Haviv.
Ky i fundit në nder të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, u ftua në Prishtinë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
E këtu Haviv, nuk la pa përmendur edhe fotografinë më ikonike të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ndërsa, shtoi se këto shkrepje, gati sa i kushtuan me jetë.
“Kur erdhi Arkani, dikush nga ushtarët shkoi dhe i pëshpëriti diçka në vesh. I treguan që unë e fotografova Hajrushin kur e rrëzuan dhe kur e lagën me ujë. Arkani erdhi tek unë dhe mi kërkoi të gjitha fotografitë, por unë arrita ta fshihja njërin nga filmat që i kisha bërë, por ja dhashë disa të tjera. Të nesërmen e kërkova Hajrushin në spital, por nuk arrita ta shoh më asnjëherë”, thotë Haviv.
Ron Haviv arriti ta kapte edhe momentin e vrasjes së shqiptarëve të tjerë në Bijelinë atë ditë.
Në mesin e tyre ishte edhe Abdirami dhe Hamijeta Pajaziti.