Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës përmendi ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, duke thënë se lufta e tyre nuk u ndal kurrë.
Si u shpreh ai, beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, duke thënë se ata janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti.
“Këto 25 vjet na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë, për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë, për të duhet punuar ndërshëm e me zell që t’ua kalojmë brezave pasuese si trashëgimi, e kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre në Hagë , që kanë thuajse katër dekada që luftojnë për liri dhe mbrojtjen e saj”.
“Lufta e tyre nuk u ndal kurrë, sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. E dimë e jemi të bindur që shumë shpejt ata do t’i kemi në mesin tonë, andaj sot në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, ua dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës, u themi se ju jeni heronjt të luftës e të paqes dhe se askush, me asgjë nuk mund ta ndryshojë kurrë këtë të vërtetë. Qëndroni të fortë, sepse padyshim dielli do të lind përsëri”, u shpreh ai.
Krasniqi gjithashtu bëri një falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës, ku tha se pa sakrifikcën dhe gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë.