Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për “ikjen e trurit” nga vendi, ka përmendur edhe një herë modelin gjerman dhe lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional.
Kurti tha se si shkak i zhvillimit ekonomik dhe rritjes së pagave në sektorin privat, njerëzit nuk duhet të largohen.
“Së pari ne po mundohemi ta lidhim tregun e punës me arsimin profesional. Pastaj, modeli gjerman, ku studentët kalojnë disa ditë në shkollë duke mësuar teori lidhur me atë që do të punojnë, kur të bëjnë pjesën praktike, në këtë mënyrë ofrojnë një profesionalizëm joakademik”, tha fillimisht Kurti.
Ai madje, tha se është optimist që shumë qytetarë nga diaspora, do të vazhdojnë të kthehen për të jetuar në Kosovë.
“E dyta është po zhvillojmë, po rrisim ekonominë tonë, paga mesatare në sektorin privat po rritet. Dhe njerëzit nuk duhet të largohem. Ata që shkojnë të studiojnë, u dëshirojmë fat dhe dëshirojmë t’i përkrahim që një ditë, ata të zëvendësojnë këtë ikjen e trurit që ka ndodhur që ka ndodhur paraprakisht apo që po ndodhë dhe jam optimist që shumë njerëz nga diaspora do të vazhdojnë të kthehen duke hapur degë të bizneseve të tyre…dhe ndoshta disa edhe kur të pensionohen mund të kthehen”, u shpreh Kurti.
Midis tjerash, shefi i qeverisë tha se “Një llogaritje e keqe e Millosheviqit ka qenë se kur t’i përzë 1 milion shqiptarë, nuk do të kthehen kurrë, dhe brenda dy muajsh, 90 për qind prej tyre u kthyen.
“Kemi diasporë që e do shumë vendin e vet, dhe numri i fluturimeve është shumë i madh, dhe nganjëherë dyshoj që ata kanë dalë jashtë për t’u kthyer”, tha Kurti.