Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në Prishtinë dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative nga data 10 deri më 13 qershor.
Këto masa, sipas njoftimit, merren në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ku pritet të marrin pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Policia e Kosovës do të kujdeset për sigurinë dhe lëvizjen e eskortave të personaliteteve sipas itinerarit nëpër rrugë të ndryshme, duke përfshirë vendkalimet kufitare, Aeroportin ndërkombëtar “ Adem Jashari” dhe rrugët të cilat të shpien në drejtim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik u kërkohet mirëkuptim për ndërprerjet dhe devijimet e mundshme.