Kur koalicioni në Prishtinë ndërmjet PDK-së e LDK-së ishte prishur, Vetëvendosja kishte alarmuar se në ndërmarrjet publike po punësohen masivisht militantët e të dy partive. “Edhe në këto momente që po flasim, punësimet po vazhdojnë”, deklaronte aso kohe asamblisti i VV-së në kryeqytet, Mirsad Vitia. Duket se partisë ia ka parë hairin disa muaj më pas edhe vetë Vitia pasi përveç si asamblist, ai tash është punësuar në MPB-në e Svelçës. Dhe nuk është asamblisti i vetëm që është ‘rehatuar’.
Mirsad Vitia, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e Ajshe Haliti-Pllana, asambliste e VV-së në Obiliq, edhe zyrtarisht do ta kenë edhe nga një vend pune në institucionet e shtetit. Më saktësisht në ministrinë që drejtohet nga Xhelal Sveçla.
Përveç si anëtarë të partisë në pushtet, përveç si përfaqësues të qytetarëve në Kuvende Komunale nga Vetëvendosja, së fundmi Vitia e Haliti-Pllana janë punësuar në Institutin për Administratë Publike në kuadër të Ministrisë së Brendshme.
Gazeta ditë më parë kishte mësuar se ky konkurs ishte kurdisur për punësimin e dy asamblistëve, por informacionet nuk u publikuan deri në konfirmimin e këtij konkursi.
Rehatohet asamblisti i VV-së në kryeqytet
Mirsad Vitia, asamblisti i VV-së në kryeqytet është punësuar si Udhëheqës i Divizionit për Organizim të Trajnimeve për nivelin qendror në kuadër të MPB-së. Me koeficientin e shpallur, paga në këtë pozitë shkon në mbi 800 euro, raporton Nacionale.
Dyshimet për kurdisjes ekzistojnë pasi verifikimin paraprak e kishin kaluar plot 15 kandidatë në këtë pozitë. Prej të gjithëve, vetëm Mirsad Vitia e kishte kaluar testin me shkrim. Në fund ai u punësua si kandidati më i suksesshëm me 93.4 pikë.
Prej fillimit ky konkurs ka qenë i përgatitur. 14 persona i kanë eleminuar nga gara qysh pas testit me shkrim”, tha një sinjalizues për Nacionalen.
Pra, asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, edhe zyrtarisht u bë me një punë të dytë në ministrinë e Xhelal Sveçlës. Mirsad Vitia është edhe familjar i afërt i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Nacionale për dy ditë me radhë ka tentuar të kontaktoj me asamblistin Vitia por nuk ka marrë përgjigje. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, mesazheve dhe pyetjeve me shkrim në Email, kontakti me Mirsad Vitinë ka qenë i pamundur.
Rehatohet asamblistja e VV-së në Obiliq
Vitia nuk është i vetmi asamblist i Vetëvendosjes që u punësua në këtë konkurs. Kësaj shpallje, ‘hairin’ ia pa edhe kolegia e tij në Obiliq, Ajshe Haliti-Pllana.
Ajshe Haliti-Pllana që është asamblisti në Obiliq, është punësuar në pozitën Zyrtar i lartë i vlerësimit të cilësisë së trajnimit, raporton Nacionale.
Përderisa për këtë pozitë, fazën e parë të vlerësimit paraprak e kishin kaluar 14 persona, testin me shkrim e kaloi vetëm asamblistja e VV-së bashkë me një tjetër kandidate. Në fund, Haliti-Pllana u përzgjodh si kandidatja më e suksesshme. Paga për këtë pozitë, shkon në mbi 600 euro.
Gazeta ka tentuar për dy ditë me radhë të kontaktojë edhe me asamblisten e Obiliq që u bë me një vend të dytë pune, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. Kontakti ka qenë i pamundur edhe në Email.
Edhe në komision, edhe avancohet – dallaveret në konkurs
Nga sinjalizues të ndryshëm, Nacionale ka mësuar edhe informacione të tjera që ndërlidhen me këto procese në Institutin për Administratë Publike në kuadër të MPB-së.
Në konkursin për zyrtare të lartë të vlerësimit të cilësisë së trajnimit ku u punësua asamblistja e VV-së në Obiliq, në komision vlerësues ka qenë Vlora Kryeziu, punëtore e këtij instituti.
Pikërisht Vlora Kryeziu, në një tjetër konkurs së fundmi, është avancuar në pozitën e Udhëheqës së Divizionit për Vllerësim të Nevojave për Trajnim dhe Hartim të Kurrikulave në IKAP. Pra, vetë në komision, vetë e avancuar në një tjetër konkurs. Kjo kishte shtuar dyshimet te disa burime të Nacionales, se ka pasur një organizim të detajizuar të konkursit.
Dyshimet janë që Vlora Kryeziu në konkursin për Zyrtare ka qenë në komision që ta mundësojë punësimin e asamblistes së VV-së, e në anën tjetër vetë është avancuar”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për Nacionalen.
Edhe për këtë temë, Nacionale ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme, por pavarësisht pritjes 2-ditore, nuk kemi marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Krejt VV
Instituti i Kosovës për Administratë Publike në kuadër të ministrisë së Sveçlës, sipas burimeve komplet është futur nën kthetrat e njerëzve që lidhur me pushtetin.
Sipas burimeve të gazetës, Instituti drejtohet nga Lule Isufi e cila është ushtruese e detyrës së Drejtoreshës tash e një kohë. Për të njëjtën, Nacionale ka siguruar fotografi teksa merr pjesë në organizime të fushatës së Vetëvendosjes.
Burimet e Nacionales më tutje kanë treguar se motra e drejtoreshës Lule Isufi, Ferinaze Isufi, kishte qenë kandidate e VV-së për asamble në komunën e Ferizajt. Kjo vërtetohet me disa fotografi të cilat janë shpërndarë nga zyrtarët e partisë dhe vetë Ferinaze Isufi.
As për këtë çështje, portali nuk ka pasur përgjigje prej Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ne edhe në të kaluarën kemi raportuar për punësimin e asamblistëve, militantëve e familjarëve nëpër institucione publike.
Me mesazhe në Kuvend u kap punësimi i asamblistit të VV-së në Malishevë, Veton Zogaj.
Ky u rehatua në ndërmarrjen që drejtohet nga njeriu i VV-së, Faruk Mujka.
Në këtë ndërmarrje u punësua gjithashtu edhe asamblisti i VV-së në Mitrovicë, Ekrem Sadiku.